Shteti i zhytur në krizë e emëron kryeministër njeriun më të pasur

  • E.K /
  • 27 July 2021 - 09:29
 Shteti i zhytur në krizë e emëron kryeministër njeriun më të pasur

Pas një mosmarrëveshjeje njëvjeçare, Libani e ka zgjedhur kryeministrin e ri me shpresë që do t’i japë fund kolapsit të plotë ekonomik dhe t’i shpëtojë rreth dy milionë njerëz nga varfëria.

Protestuesit kanë kërkuar që për shef qeverie të zgjidhet një figurë jashtë elitës politike, por Kuvendi i Libanit e emëroi miliarderin Najib Miqati, i cili e ka udhëhequr vendin dy herë në të kaluarën me pak sukses.

Në vitin 2019, ai ishte akuzuar nga prokurori shtetëror për përvetësim. Ai e ka mohuar këtë akuzë, duke thënë se është e motivuar politikisht, shkruan The Guardian.

Kriza ekonomike dhe financiare e Libanit filloi në fund të vitit 2019 dhe prej asaj kohe është përkeqësuar vazhdimisht. Varfëria është shtuar shumë në muajt e fundit dhe situata po del nga kontrolli.

Banorët e Libanit po përballen me mungesë të madhe të ilaçeve, karburanteve dhe rrymës. Valuta kombëtare e ka humbur rreth 90 për qind të vlerës në krahasim me dollarin, duke sjellë inflacion të lartë.

Komuniteti ndërkombëtar i kishte kushtëzuar miliarda dollarë ndihma për Libanin me zbatimin e reformave të gjera në të gjitha dikasteret qeveritare.

(Kosova Sot Online)