Qeveria: Bashkëqytetarët tanë vijnë sonte pas orës 22:00 nga Kroacia

  • A.P /
  • 27 July 2021 - 18:28
Qeveria: Bashkëqytetarët tanë vijnë sonte pas orës 22:00 nga Kroacia

Qeveria e Republikës së Kosovës thotë se me të gjitha institucionet dhe kapacitetet e veta po punon maksimalisht për t’u ofruar kujdesin dhe trajtimin e duhur bashkatdhetarëve tanë të aksidentuar në Kroaci.

Insititucionet e Kosovës në koordinim me institucionet e Kroacisë, kanë organizuar kthimin e bashkqytetarëve tanë në Kosovë, gjendja shëndetësore e të cilëve është stabile.

“Ata do të vijnë sonte me transport ajror, pas orës 22:00”, njofton qeveria.

“Qeveria do të organizojë transportin dhe përcjelljen e bashkqytetarëve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” deri te familjet, në vendbanimet e tyre.

Ministria e Punëve të Brendshme është në kontakt të vazhdueshëm me familjet e viktimave lidhur me procedurat e kthimit në Kosovë të trupave të personave që humbën jetën në aksidentin tragjik të së dielës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Të dielën, dhjetë persona me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe 45 u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod.

Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë.


(Kosova Sot Online)