Dikush po e ha ushqimin e ushtarëve të FSK-së!

  • G.G /
  • 28 July 2021 - 11:43
Dikush po e ha ushqimin e ushtarëve të FSK-së!

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se administrata në Ministrinë e Mbrojtjes është ushqyer në kuzhinën e FSK-së edhe pse sipas ligjit, stafi civil nuk e ka këtë të drejtë.

Auditori ka potencuar se Ministria e Mbrojtjes nuk ka dhënë ndonjë arsye pse stafi civil e shfrytëzon të drejtën e ushqyerjes në kuzhina dhe pse janë paguar këto shpenzime.

Sipas Ligjit për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës përcaktohet se “pjesëtari aktiv i FSK-së ka të drejtë për së paku një racion të ushqimit, gjatë secilit orar të plotë të punës (e përcaktuar si çdo periudhë e qëndrimit të vazhdueshëm në detyrë për më shumë se 6 orë në çdo 12 orë”.

Çmimi i një racioni është 4.75 euro dreka, ndërsa racionet për mëngjes 1.26 euro dhe darka 2.78 euro.

Vlera e shepnzimeve për vitin 2020 nga kontrata e lidhur për Shërbimet e ushqimit (furnizim, përgatitja dhe servimi) nëpër të gjitha kuzhinat e FSK-së, ishte 2,218,317 euro.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka potencuar se shfrytëzimi i kuzhinës së FSK-së nga stafi civil ndikon në rritjen e numrit të racioneve të ushqimit dhe kryerjen e pagesave të parregullta nga ministria.

“Ministri duhet të ndërmarrë masa të menjëhershme për të siguruar se shërbimet e kuzhinës (racioni i ushqimit) do të shfrytëzohen vetëm nga pjesëtarët aktiv të FSK-së ashtu siç e parash Ligji e jo edhe nga stafi civil”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së për ministrin e Mbrojtjes.

Po ashtu, ZKA ka gjetur se Ministria e Mbrojtjes nuk ka hartuar ndonjë akt të veçantë nënligjor që ka të bëjë me monitorimin e stafit që ushqehen në kuzhina.

“Ne kemi vërejtur se menaxheri i kontratës i pranon kërkesat nga njësitë kërkuese për numrin e personave që do të ushqehen nëpër kuzhina dhe në bazë të numrit të pranuar, i bën kërkesë kuzhinave për racionet që duhet të përgatiten”, theksohet në raportin e auditimit.

Sipas Auditorit, ministria nuk ka ndonjë mekanizëm monitorues për të verifikuar numrin e personave që ushqehen nëpër kuzhinat e FSK-së, respektivisht nuk bën ndonjë kontroll/verifikim nëse po ushqehen të gjithë personat sipas porosive që bëhen nga menaxheri i kontratës.

Në raport thuhet se operatori ekonomik faturimin e bën sipas porosisë për numrin e personave të pranuar nga menaxheri i kontratës.

“Kjo ka ndodhur si rezultat i mosfunksionimit të duhur të kontrolleve të brendshme në ministri për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e kuzhinave”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, mungesa e një monitorimi për të verifikuar numrin e personave që ushqehen nëpër kuzhina mund të ndikojë që ministria të bëjë pagesa përtej nevojave reale të stafit.

“Ministri duhet të hartojë aktet e veçanta nënligjore me të cilat rregullohet procedurat për monitorimin e kuzhinave në FSK në mënyrë që të evitohen keqpërdorimet e mundshme në procesin porosisë dhe marrjes së shërbimit”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

(Kosova Sot Online)