Minishengeni bëhet “Ballkani i Hapur”

  • A.P /
  • 29 July 2021 - 21:12
Minishengeni bëhet “Ballkani i Hapur”

Në takimin e tre liderëve të rajonit nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili në vazhdimësi ka kundërshtuar këtë nismë.

Tre Liderët e Ballkanit Perëndimor kësaj radhë u bënë bashkë në Maqedoni të Veriut.

Kryeministri i kësaj të fundit, Zoran Zaev, presidenti serb Aleksander Vucic dhe kryeministri shqiptar Edi Rama bënë përpjekjen e radhës për të çuar përpara iniciativën e Shengenit Ballkanik.

Kështu nisma e “mini-Shengenit” e mori emrin e ri ‘Ballkani i hapur”.

Me emërtimin e ri, janë pajtuar tre ideatorët e kësaj nisme.

Të tre këta, lehtësisht u morën vesh për të vënë nënshkrime në marrëveshje të caktuara.

Zaev, Rama dhe Vuçiq, në kuadër të forumit nënshkruan dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik.

Por në takimin e tre liderëve të rajonit nuk mori pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili në vazhdimësi ka kundërshtuar këtë nismë.

Megjithatë nga Shkupi, mesazhe në drejtim të shefit të ekzekutivit, Kurti  ka dërguar homologu i tij shqiptar, Edi Rama.

Këtë iniciativë si Kosova kategorikisht e refuzuan, edhe Mali i Zi e Bosnjë-Hercegovina, edhe për këto vende Rama pati fjalë.

Apel për t’iu bashkuar nismës ka bërë edhe kryeministri maqedonas.

Ndërsa presidenti serb, tha se së shpejti qytetarët e këtyre tri shteteve do të mund të lëvizin pa i ndalë askush që nga Beogradi në Tiranë dhe anasjelltas.

E nga Qeveria e Kosovës edhe të enjten përsëritënq qëndrimin e njëjtë për këtë iniciativë.

Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.


(Kosova Sot Online)