Komuna e Prizrenit shfrytëzoi situatën me COVID-19 që të bëjë shkelje në tender

  • A.P /
  • 30 July 2021 - 22:36
Komuna e Prizrenit shfrytëzoi situatën me COVID-19 që të bëjë shkelje në tender

Komuna e Prizrenit e cila udhëhiqet nga Mytaher Haskuka ka përdorur situatën e pandemisë Covid-19 që të shpërbleje më kontratë kompani të caktuara.

Si në asnjë komunë tjetër, gjatë të kaluar, por edhe në këtë vit, Komuna e Prizrenit është atakuar nëpër mjetë ankesave për shkelje të procedurave të prokurimit gjatë realizmit të punëve të ndryshme

Me datë 16.03.2020, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik -KRPP kishte njoftuar të gjitha autoritetet kontraktuese se, si rezultat i situatës së krijuar nga COVID-19 mund ti përdorin procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit për kontratë. Përderisa, njoftimi i KRPP-së nr. 47/2020 i dt. 12.06.2020 parasheh shfuqizimin e mundësisë së përdorimit të kësaj procedure për çështjen e pandemisë (vendimit paraprak).

Pas njoftimit të KRPP-së i dt. 12.06.2020 i cili parasheh shfuqizimin e mundësisë së përdorimit të procedurës së cekur më lartë, komuna e Prizrenit në tri  raste kishte përdorur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Për me tepër në dy nga këto mostra përveç fituesit që ka pasur veprimtarinë përkatëse, komuna kishte ftuar edhe nga dy OE për negociata që nuk kishin veprimtarinë e duhur të procedurës tenderuese.

Këtë shkelje e ka identifikuar Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin për Pasqyrat Financiare të vitit 2020 të Komunës së Prizrenit.

“Ndërsa në një rast komuna kishte ftuar vetëm një kompani për negocim me të cilin kishte lidhur kontratë. Si rezultat i përdorimit te kësaj forme të procedurës dhe mos ftesa e OE tjerë që janë profesional në ofrimin e shërbimit/furnizimeve ka ndikuar në kufizimin e konkurrencës në lidhje me çmimet dhe cilësinë e shërbimeve/furnizimeve të kontraktuara”, ka shkruar ZKA në raportin për Komunën e Prizrenit.

“Neni 35 paragrafi 2.1 (iii) i LPP nr.04L-042 përcakton që – ‘Nëse, për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj. Po ashtu, paragrafi 3 përcakton që –‘Ekzekutimi i një procedure të negociuar pa publikimin e njoftimit të kontratës në asnjë mënyrë nuk e liron autoritetin kontraktues nga detyrimi i tij që (i) të luajë një rol aktiv në përcaktimin e kushteve të kontratës, veçanërisht sa ka të bëjë me çmimet, afatet e pranimit, sasitë, karakteristikat teknike dhe garancionet’.”, shkruhet në raport nga ZKA duke ju referuar Ligjit të Prokurimit.

Sipas auditorit, përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë dhe mos ftesa e OE tjerë që janë profesional në ofrimin e shërbimeve/furnizimeve ndikon në kufizim të konkurrencës dhe njëherësh rrit rrezikun e kontraktimit të mallrave/shërbimeve me çmime dhe cilësi jo komfor kushteve të tregut.

Andaj, auditori e ka rekomanduar kryetarin Haskuka që të siguroj aplikimin e procedurave të duhura të prokurimit duke rritur konkurrencën në mënyrë që kontraktimi i mallrave/furnizimeve të bëhet me çmime dhe cilësi komfor kushteve të tregut. 

(Kosova Sot Online)