Izraeli e akuzon Iranin për sulmin vdekjeprurës ndaj anijes

  • S.A /
  • 31 July 2021 - 09:03
Izraeli e akuzon Iranin për sulmin vdekjeprurës ndaj anijes

Izraeli e ka akuzuar Iranin se qëndron prapa një sulmi ndaj një anije të naftës, në të cilin u vranë dy anëtarë të ekuipazhit – një britanik dhe një rumun.

Anija “MV Mercer Street”, e opertuar nga kompania izraelite “Zodiac Maritime”, ishte afër brigjeve të Omanit, në Detin Arab, kur u sulmua të enjten, shkruan BBC.

Kompania, e cila është në pronësi të miliarderit izraelit, Eyal Ofer, tha se është duke punuar për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Megjithatë, ministri i Jashtëm i Izraelit të premten e fajësoi “terrorizmin iranian”.

“Irani nuk është vetëm problem i Izraelit. Bota nuk duhet të qëndrojë e heshtur”, tha kryediplomati izraelit përmes një deklarate. Irani nuk ka reaguar ende për këtë rast.

Reklamë

Incidenti duket eskalim serioz i tensioneve në rajon dhe disa raporte sugjerojnë se në këtë rast ishte i përfshirë një dron.

Kompania që e menaxhon anijen e sulmuar tha se ajo tashmë është duke lundruar nën kontrollin e ekuipazhit të vet për në një vend të sigurt dhe po përcillet nga një eskortë amerikane.

Muajve të fundit ka pasur disa sulme ndaj anijeve të operuara nga Irani dhe Izraeli. Të dyja palët e kanë fajësuar njëra-tjetrën për këto sulme.

(Kosova Sot Online )