'S'ka si Bedria', i ka 'flladitë' zemrat e qytetarëve të Mitrovicës

  • A.P /
  • 01 August 2021 - 13:06
'S'ka si Bedria', i ka 'flladitë' zemrat e qytetarëve të Mitrovicës

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, i ka “flladitë zemrat e qytetarëve të Mitrovicës”, duke ua kumtuar se kandidat i kësaj partie për kryetar të Mitrovicës Jugore, është Bedri Hamza, një nga figurat kryesore të partisë.

Krasniqi lajmin e ka bërë të ditur në llogarinë e tij në Facebook, nga një vend “i kujtimeve”.

“Nga një qytet me rëndësi të veçantë siç është Mitrovica, dhe nga një vend i kujtimeve të mira siç është Ëmbëltorja Ballkan, jam shumë i lumtur ta shpërndaj një lajm po ashtu të veçantë, të mirë e të rëndësishëm që do t’i flladitë zemrat e qytetarëve të Mitrovicës”, shkruan Krasniqi.

“Bedri Hamza është Kandidati i PDK-së për Mitrovicën në zgjedhjet e tetorit”.

Kryetari i ri i PDK-së e ka quajtur Hamzën “profesionist të lartë” dhe “një punëtor të madh”.

“Një njeri të urtë e të ndershëm si Bedri Hamzën do të donte ta kishte të vetin secila komunë. Por, këtë fat e ka Mitrovica”.

Krasniqi është i bindur që lajmi për Hamzën është pritur “me padurim”.

Me këtë kandidat PDK, sipas Krasniqit do t’i jap fund “talljes së gjatë me qytetin e tyre”.

“Sepse, të gjithë pajtohen: S’ka si Bedri Hamza!”.

Bedri Hamza është një nga figurat kryesore të Partisë Demokratike të Kosovës. AI në zgjedhjet e fundit nacionale është votuar deputet.

Më parë Hamza ka qenë ministër i Financave kur qeveria udhëhiqej nga koalicioni PDK-LDK.

Gjithashtu, për një kohë, Hamza ishte edhe Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.  


(Kosova Sot Online)