SHBA: Mbi 200 punonjës të vaksinuar të dy spitaleve infektohen me variantin Delta

  • A.P /
  • 01 August 2021 - 16:49
SHBA: Mbi 200 punonjës të vaksinuar të dy spitaleve infektohen me variantin Delta

Më shumë se 200 punonjës në dy spitalet kryesore në San Françisko, në shtetin perëndimor të Kalifornisë, kanë rezultuar pozitiv për koronavirusin, njofton gazeta New York Times.

Shumica e punonjësve në spitalin në Zuckerberg të San Françiskos dhe atë të Qendrës Mjekësore të Universitetit të Kalifornisë në San Françisko ishin plotësisht të vaksinuar dhe shumica e tyre rezultoi pozitiv për variantin Delta shumë të transmetueshëm të koronavirusit, sipas gazetës.

Vetëm në dy raste personat u shtruan në spital. Numri i të shtruarve do të ishte më i lartë nëse punjësit do të ishin të pavaksinuar, tha Dr. Lukejohn Day, shefi mjekësor i spitalit Zuckerberg.

Në fillim të javës autoritetet shëndetësore amerikane u kërkuan të vaksinuarve plotësisht që të fillojnë të përdorin maskat përsëri në ambjentet e brendshme në zonat ku varianti Delta i COVID-19 po përhapet me shpejtësi. Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thonë se varianti Delta mund të përhapet edhe nga të vaksinuarit.

“Është e rëndësishme që njerëzit e vaksinuar të kuptojnë se nëse ndonjë prej tyre infektohet në zonat ku po përhapet virusi ata mund ta transmetojnë virusin tek njerëzit e tjerë”, tha drejtorja e CDC-së Rochelle Walensky.

(Kosova Sot Online)