Gjyqtari që i raportoi skandalet në EULEX caktohet dëshmitar i mbrojtjes në Gjykatën Speciale

  • G.G /
  • 02 August 2021 - 11:04
Gjyqtari që i raportoi skandalet në EULEX caktohet dëshmitar i mbrojtjes në Gjykatën Speciale

Ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, i cili raportoi në Kuvendin e Kosovës për skandalet në misionin ligjvënës të Bashkimit Evropian, dëshminë e tij do ta jap edhe para prokurorëve dhe gjyqtarëve të Hagës në Gjykatën Speciale.

Malcolm Simmons, ish-gjyqtar në EULEX është caktuar si dëshmitar i mbrojtjes së nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj.

Media ka parë shkresën e avokatëve të Haradinajt, Toby Cadman dhe Carl Buckley, në të cilën thuhet se më 12 korrik, mbrojtja ka dërguar tek gjyqtari paraprak listën e saj me dëshmitarë, ku përfshihet edhe vet emri i Simmons.

“Është shqetësim domethënës që Zëvendës Presidenti kohët e fundit u caktua në Trupin Gjykues II në çështjen kundër Z. Haradinaj dhe Z. Gucati dhe më pas u zgjodh Kryetar i Trupit Gjykues në gjykimin e tyre. Lista e dëshmitarëve të mbrojtjes në këtë çështje, e cila u finalizua dhe u dorëzua para emërimeve të Zëvendës Presidentit në këtë rast, iu dorëzua Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, i bashkangjitur në Përmbledhjet e Përpara Gjyqit, më 12 korrik 2021 dhe përfshin gjyqtarin Malcolm Simmons si dëshmitar të Mbrojtjes”, thuhet në shkresën e mbrojtjes së krerëve të OVL-UÇK-së.

Shkresa në fjalë, ashtu siç u cek më lartë ka të bëj me shqetësimet e mbrojtjes për caktimin e gjyqtarit Charles Smith si kryetar i Trupit Gjykues në rastin kundër Haradinajt dhe Gucatit.

Simmons do ta ketë rastin të përballet me Smithin në Gjykatën Speciale, nëse ky i fundit nuk përjashtohet nga rasti, pasi që mbrojtja ka kërkuar që një gjë e tillë të ndodhë, duke përmendur akuzat e vet Simmons ndaj Smith të bëra gjatë raportimit në Kuvend.

(Kosova Sot Online)