Dënimi i çiftit me 900 euro për puthje, çka parasheh Neni 6 i Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike

  • E.K /
  • 02 August 2021 - 15:13
 Dënimi i çiftit me 900 euro për puthje, çka parasheh Neni 6 i Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike

Një burrë dhe një grua janë gjobitur me nga 450 euro nga Policia e Kosovës, të mëkurën pak pas mesnatës, në afërsi të një klubi të natës në Prishtinë. Çifti që u dënua me 900 euro gjobë, ka edhe nënshtetësi të huaj, ndërsa veprimi i zyrtarëve policorë ka nxitur reagime të shumta.

Gjoba e shqiptuar është bazuar në Nenin 6 të Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike. Neni 6 i këtij ligji parasheh dënim me gjobë për sjelljet e pahijshme seksuale nga 100 deri në 700 euro, apo dënim më burgim prej 50 ditësh.

Për këtë çështje ka folur drejtori Ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, ai thotë se sjellja e çiftit mund të konsiderohet e pranueshme dhe normale në klube të natës, ku mosha e personave që i frekuentojnë është e moshës madhore.

Miftaraj thotë se sjellja mund të konsiderohet e pahijshme nëse do të ndodhte në një vend publik ku frekuentohet nga fëmijet apo të miturit.

“Në radhë të parë ligji për rendin dhe qetësinë publike është ligj i miratuar në vitin 2009, dhe shumë dispozita te të njejtit ligj janë në kundërshtim me parimet Kushtetuese që promovojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, ku hyn edhe dënimet apo sanksionet me burgim efektiv për vepra kundërvajtëse. Në rastin konkret, përderisa, një gjobë e tillë do të mund të hynte në kuadër të sjelljes së pahijshme nëse do të ndodhte në një vend publik ku frekuentohet nga fëmijet apo të miturit me cka do të shkaktonte shqetësim për qytetarët, e njejta nuk mund të konsiderohet sjellje e pahijshme nëse ka ndodhur në klube të natës ku mosha e personave që e frekuentojnë janë të moshës madhore”, tha Miftaraj.

“Neni 6 i Ligjit, pjesa e sjelljes të pahijshme seksuale që shkakton shqetësim te qytetarët është dispozitë e përgjithshme dhe zbatohet varësisht rredhanave dhe vendeve publike. Përderisa, një sjellje e tillë mund të konsiderohet e papërshtatshme në prani të fëmijëve, e njejta sjellje mund të jetë e pranueshme dhe normale në klube të natës, si është rasti konkret”, tha më tej Miftaraj.

(Kosova Sot Online)