Lokalizohen zjarret në Fushë Kosovë, u dogjën sipërfaqe hamullore

  • A.P /
  • 02 August 2021 - 22:33
Lokalizohen zjarret në Fushë Kosovë, u dogjën sipërfaqe hamullore

Zjarret që shpërthyen këtë mbrëmje në komunën e Fushë Kosovës janë lokalizuar. Zyrtarë të kësaj komune kanë thënë se situata aktualisht është nën kontroll.

Dy vatra zjarri shpërthyen këtë mbrëmje në Komunën e Fushë Kosovës. Zjarret u përhapen në fshatrat Mesbardh dhe Kuzmin.

Zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli ka dhënë detaje lidhur me rastin.

Tha se zjarret u shkaktuan nga njerëzit që kishin vendosur të digjnin hamulloret.

“Zjarri është shkaktuar nga personat që kanë vendosur të ndezin hamulloret dhe pastaj era ka shkaktuar rritjen e zjarrit”, thaTopalli.

Për pak kohë në rrezik të djegies ishin shumë shtëpi në Kuzmin por zjarri u lokalizua nga zjarrëfikësit e Prishtinës.

“Në orët e vona janë përhap dy zjarre në fshatin Kuzmin dhe Mesbardh. Gjendja më e rëndë ka qenë në Kuzmin për arsye se ka qenë zjarri më i përhapur dhe kjo ka shkaktuar panik të madh të banorët”, shpjegoi Topalli.

“Ndërkohë Janë njoftuar ekipet e zjarrëfikesve nga Prishtina të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Gjendja është stabilizuar”, shtoi ai.

Në disa rajone të Kosovës, pjesët malore dhe hamullore ditët e fundit janë përfshirë nga zjarret të cilat po nisin nga fushat dhe ato po arrijnë deri te malet.

Ministria e Bujqësisë u ka bërë thirrje fermerëve të mos i djegin hamulloret, pasi përpos ndotjes së ambientit, mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve. Ai ka paralajmëruar masa ndaj personave që shkaktojnë zjarre të tilla.


(Kosova Sot Online)