Xhelal Sveçla paralajmëron ndëshkime për ata që ndezin zjarre

  • E.K /
  • 03 August 2021 - 10:39
 Xhelal Sveçla paralajmëron ndëshkime për ata që ndezin zjarre

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se autoritetet e sigurisë do të jenë të pakompromis ndaj atyre që ndezin zjarre pas temperaturave të larta që po mbizotrojnë në vend. Ai tha poashtu se policia është duke vazhduar hetimin edhe për raste tjera të dyshimta të zjarrvënies së qëllimshe.

“Mobilizimi i të gjitha institucioneve tona nuk do të jetë i mjaftueshëm në këto situata nëse mungon përgjegjësia qytetare. Prandaj, ju bëjë thirrje qytetarëve të Kosovës që të kenë kujdesin maksimal, që në asnjë rast dhe rrethanë të mos të ndezin zjarre, përndryshe ne do të jemi të pa-kompromis ndaj sjelljeve të tyre të cilat po shkaktojnë rrezik të përgjithshëm”, ka thënë Sveçla.

Sveçla poashtu ka thënë se pas arrestimit të dy personave policia po vazhdon hetimin edhe për raste të tjera të  dyshimta.

“Është shumë me rëndësi të theksoj se përkundër temperaturave të larta ne kemi hasur raste të zjarrvënies së qëllimshme nga disa qytetarë të pandërgjegjshëm, për çka policia e Kosovës tashmë ka arrestuar dy persona, ndërsa po vazhdon hetimin edhe për raste tjera të dyshimta”, ka thënë ai.

Në disa lokacione në Komunën e Suharekës zjarri ka shpërthyer që disa ditë.

Duke qenë Suhareka komuna më e goditur nga zjarret, sot me mëngjes kryeministri Albin Kurti ka shkuar për vizitë në këtë komunë.

Kurti pasi ka mbajtur një takim me kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj, së bashku me të kanë shkuar në fshatin Studençan për të parë nga afër gjendjen.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka ftuar qytetarët të kenë kujdes maksimal në ruajtjen e pyjeve, të natyrës dhe mjedisit.

Kjo ministri ka thënë se në kohën kur vendi po ballafaqohet me temperatura të larta, për fat të keq po shfaqet edhe një dukuri shqetësuese, me rrezikimin e jetës së njerëzve, pasoja ekonomike e dëme të mjedisit.

“Është fjala për paraqitjen e zjarreve, që po shfaqen gjithandej në Kosovë, nga të cilat janë duke u dëmtuar pyjet, tokat pyjore, por edhe sipërfaqe tjera rurale e urbane”, thuhet në njoftim.

Ministria e Bujqësisë ka ftuar të gjitha institucionet përgjegjëse duke filluar nga komunat, Njësitë Komunale të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, shërbimin e zjarrfikësve dhe policinë për koordinim të veprimeve, si dhe kujdes të shtuar në parandalimin e zjarreve dhe mobilizim në shuarjen e tyre.

Pyjet përbëjnë rreth 44.7 për qind të territorit të Republikës së Kosovës.

Zjarret në pyje, përveç masës drunore, rrezikojnë edhe florën dhe faunën e egër.

(Kosova Sot Online)