Deputeti i PDK-së me raketë në bluzë, ironizon me Kurtin: Për tre muaj ky eci përpjetë

  • E.K /
  • 03 August 2021 - 11:38
 Deputeti i PDK-së me raketë në bluzë, ironizon me Kurtin: Për tre muaj ky eci përpjetë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, ka ironizuar me fjalimin e djeshëm të kryeministrit Albin Kurti në Kuvend, lidhur me 100 ditëshin e punës së Qeverisë që ai e udhëheq.

Kastrati, me një raketë në bluzën e tij, ironizoi me deklaratën e deputetit të LVV-së, Jahja Kokaj lidhur me këtë çështje.

“Dje pasi e dëgjova këtë raportin voluminoz të kryeministrit, kisha përshtypjen që po flet kryeministri i një shteti me shtatë koka bërthamore apo dhjetë që i ka. Ama, u preka shumë, sepse nuk e futi arritjen kulminante të tremujorëshit të parë, këtë raketën e Jahja Kokës. Se tash veç me hip në raketë edhe u kry puna, për tre muaj ditë ky eci përpjetë”, tha Kastrati.

“Mbrëmë edhe më erdhi pak me qajtë kështu me emocion se thashë qysh bre s’ka lind ky njeri para dy shekujve, para Hasan Prishtinës, para Ismail Qemalit edhe me e kënaqë këtë vend, me e rahatu para dy shekujve. Kjo është goxha e dhimbshme”, deklaroi deputeti i PDK-së.

Sipas tij, 100 ditëshi i parë i Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti është sikur 100 ditëshi i fundit i qeverive të kaluara.

“100 ditëshi i parë duket si 100 ditëshi i fundit i çdo qeverisjeje, sepse 100 ditëshin e fundit të gjithë janë të lodhu. Këta duken shumë të lodhur qysh në start”, tha Kastrati.

(Kosova Sot Online)