Amnesty: Arabia Saudite për 7 muaj ekzekutoi më shumë njerëz se tërë vitin e kaluar

  • G.G /
  • 03 August 2021 - 13:49
Amnesty: Arabia Saudite për 7 muaj ekzekutoi më shumë njerëz se tërë vitin e kaluar

Organizata e njohur për të drejtat e njeriut, Amnesty International, tha të martën se Arabia Saudite e ka rritur numrin e ekzekutimeve në pjesën e parë të këtij viti pas një rënie si udhëheqëse e Grupit G20 vitin e kaluar.

Sipas këtij grupi, Arabia Saudite ka ekzekutuar së paku 40 persona nga janari deri në korrik të këtij viti, që është numër më i lartë se për tërë vitin e kaluar, shkruan Reuters.

Arabia Saudite më 2019 ekzekutoi numër rekord prej 185 personave, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, i përkrahur nga shteti, tha në janar se ky shtet i ka pakësuar ekzekutimet për 85 për qind vitin e kaluar, me 27 persona të ekzekutuar.

Organizata Amnesty International tha se ekzekutimet kanë vazhduar menjëherë pasi Arabia Saudite e ka dorëzuar presidencën e Grupit G20 tek Italia dhe se nëntë persona i ka ekzekutuar vetëm në dhjetor të vitit 2020.

Sipas organizatës, ekzekutimet u kryen pas dënimeve që janë përcjellë me gjykime të padrejta, nën hijen e pretendimeve për torturë gjatë mbajtjen në ndalim paragjyqësor e të cilat kanë çuar në rrëfime të detyruara.

Ndonëse Arabia Saudite ka thënë se e ka larguar dënimin me vdekje për shumë krime të kryera nga personat e moshës së mitur, Amnesty tha se në qershor u ekzekutua një person për të cilin thuhet se ka kryer shkelje kur ka qenë nën moshën 18-vjeçare.

(Kosova Sot Online)