Ministria e Financave: Dardan Nuhiu “ka abuzuar qartazi me detyrën e besuar”

  • G.G /
  • 04 August 2021 - 11:00
Ministria e Financave: Dardan Nuhiu “ka abuzuar qartazi me detyrën e besuar”

Ministria e Financave ka dhënë më shumë detaje për shkarkimin e Dardan Nuhiut nga pozita e Drejtorit të Njësitit të Inteligjencës Financiare. Sipas këtij dikasteri, Nuhiu “ka abuzuar qartazi me detyrën e besuar”.

Dardan Nuhiu, është shkarkuar me efekt të menjëhershëm, pas publikimeve të Gazetës Online Shqip.com, ku Nuhiu zbulon vetën duke treguar se si i ndikon personat e caktuar nëpër institucione dhe gjithashtu e ka në plan kapjen e sistemit medial në Kosovë.

“Gjuha e përdorur në bisedat e publikuara shpërfaq qartazi abuzimin me detyrën e besuar. Një gjë e tillë cenon rëndë reputacionin e institucionit dhe rrezikon besueshmërinë e qytetarëve dhe institucioneve tjera bashkëpunuese”.

“Pas shqyrtimit të audioincizimeve në fjalë, dhe diskutimit në mes të anëtarëve, Bordi Mbikëqyrës me gjashtë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, vendosi që bazuar në kompetencat që ia njeh Ligji Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, të shkarkojë Dardan Nuhiun nga pozita e Drejtorit të NJIF-it”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Financave.

https://www.youtube.com/watch?v=wnT-l6pGeQA&feature=emb_title

Dardan Nuhiu në një telefonatë thotë se ka informata për të gjithë.

Si drejtor i Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës ai thotë se ka grumbulluar informacione për shumë persona në strukturën shtetërore.

Siç thotë ai “prej ma të voglit e deri tek ata naltë”. Prandaj, tash dëshiron t’i shfrytëzojë këto informacione për të shantazhuar sa herë që ka nevojë. Plani i tij është “ta kapi sistemin medial”.

Më pas me anë të shantazhit nga mediat e tij t’i detyrojë njerëzit të bëjnë atë që ai thotë.

Skemën veç më ka filluar ta realizojë. E ka blerë një radio. Tash është në bisedime edhe me dy tre media të shkruara, “dy-tre portalet ma t’forta që janë këtu te na”, thotë Nuhiu, derisa ia shpalosë planin malicioz një personi që i kërkon partneritet.

https://www.youtube.com/watch?v=gufbXJLxqXg&feature=emb_title

Shqip.com do të vazhdojë publikimin e radhës, të mërkurën, me fillim në orën 10:00, në kuadër të Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes”.

Futuni në rubrikën N’shënjestër dhe ndiqni në mënyrë kronologjike publikimet në kuadër të Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes”.

(Kosova Sot Online)