Uran Ismaili: Votimi i PZHK-së tani e dëmton Prishtinën, fton kandidatët e tjerë t’i bashkohen

  • E.K /
  • 04 August 2021 - 15:15
 Uran Ismaili: Votimi i PZHK-së tani e dëmton Prishtinën, fton kandidatët e tjerë t’i bashkohen

Kandidati për Kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka reaguar në lidhje me vendimin e Komunës së Prishtinës për të proceduar me votimin e Planit Zhvillimor të Qytetit për 8 vitet e ardhshme.

Ismaili ka thënë se kjo nuk mund të bëhet pa i përfshirë qytetarët dhe ka ftuar të gjithë kandidatët për Kryetar të Prishtinës që të marrin qëndrim kundër miratimit të Planit Zhvillimor dy muaj para zgjedhjeve.

Sipas tij, planet për të ardhmen duhet të bëhen nga qeverisja e ardhshme që do të zgjidhet nga qytetarët, e jo nga qeverisja që shkon.

Reagimi i plotë i tij:

Prishtina që e kemi sot dhe ndërtimet e egra “me leje” janë rezultat i Planit Zhvillimor Komunal të miratuar në vitin 2013, disa muaj para zgjedhjeve. E njëjta po tentohet të bëhet tani: votimi i Planit Zhvillimor Komunal vetëm dy muaj para zgjedhjeve. Kjo nuk mund të bëhet pa i përfshirë qytetarët e Prishtinës. Kjo nuk mund të bëhet tani.

Plani për Prishtinën është dokument që përcakton zhvillimin e qytetit për 8 vjetët e ardhshme. Ky dokument përcakton ndërtimin e çerdheve, rrugëve, ambulancave, parqeve e ndërtesave të mëdha për banim, por në fakt në qendër të diskutimit janë tokat, ndërtuesit, grupet e interesit dhe pazaret për koeficiente pronash.

Është e papranueshme që kjo të bëhet pa diskutim të gjatë, gjithëpërfshirës e të mirëfilltë publik. Andaj sot i bëj apel:

1. Administratës së tashme të Komunës së Prishtinës që të ndalojë finalizimin e PZHK-së.

2. Të gjithë kandidatëve për Kryetar të Prishtinës që të marrin qëndrim kundër miratimit të Planit Zhvillimor dy muaj para zgjedhjeve.

3. Ftoj të gjithë asamblistët që të mos e aprovojnë një plan kaq të rëndësishëm dy muaj para zgjedhjeve.

Kjo kërkesë e imja duhet të jetë kërkesë e secilit prej nesh që ia duam të mirën Prishtinës. Planet për të ardhmen duhet të bëhen nga qeverisja e ardhshme që do të zgjidhet nga qytetarët, e jo nga qeverisja që shkon.

(Kosova Sot Online)