KGJK po ndjek nga afër publikimet e përgjimeve: Do veprojmë sipas procedurave dhe afateve

  • G.G /
  • 04 August 2021 - 15:16
KGJK po ndjek nga afër publikimet e përgjimeve: Do veprojmë sipas procedurave dhe afateve

Publikimet nga Gazeta Online Shqip.com, në të cilat protagonistë është edhe gjyqtari i krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit, Driton Muharremi, po përcillen me shumë vëmendje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në një përgjigje për median, nga KGJK thonë se “po ndjekim me vëmendje zhvillimet e fundit lidhur me publikimet e përgjimeve, nga data 30 korrik 2021, rreth bisedave telefonike të regjistruara në mes të subjekteve të ndryshme”.

Një nga këto subjekte është edhe Driton Muharremi, që përveç gjykatës në Gjykatën e Apelit, është edhe anëtarë i KGjK-së.

“Andaj, në pajtueshmëri me përgjegjësitë ligjore që ka ky Këshill, do të vazhdoj të përcjell situatën dhe do të veproj sipas procedurave dhe afateve që përcaktohen me Rregulloren për Procedurën Disiplinore të anëtarëve të KGjK-së”, thuhet në përgjigje.

Muharremi mund të ketë kryer një vepër penale që sipas Kodit Penal të Kosovës dënohet me burgim deri në tetë vjet, nëse merret vesh se ai ka ushtruar ndikimin e tij në një rast të konfiskimit dhe lirimit të një veture.

Në disa biseda telefonike të siguruara nga Shqip.com, Muharremi del të jetë i lidhur me Drejtorin e Inteligjencës Financiare të Kosovës Dardan Nuhiu dhe përmes tij me një person që kërkon t’i lirohet një veturë pasi që i ishte konfiskuar, e që sipas tij, lirimin po e bllokonte krye-prokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Muharremi, si gjyqtar që është, e di se me nenin 424 në Kodin Penal të Republikë së Kosovës, apo siç është i emëruar “ushtrimi i ndikimit”, ndalohet çfarëdo ndikimi mbi vendimmarrjen e personit zyrtar.

“Pavarësisht nëse ndikimi është ushtruar ose pavarësisht nëse ndikimi i supozuar shpie deri te rezultati i synuar, dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet”, saktëson neni.

Por, Muharremi, njeriu që nga pozita e tij vendos edhe për formimin e komisioneve për përzgjedhjen e gjyqtarëve të rinj, nuk heziton.

“Hajt unë deri të premten e takoj edhe nesër po këqyri mos po shkoj deri te zyra e tije”.

Pas publikimeve të përgjimeve  tashmë është shkarkuar Dardan Nuhiu, nga pozita e drejtorit të Njësisë së Inteligjencës Financiare dhe gjithashtu kanë janë autorizuar hetimet për prokuroren Shemsije Asllani.

https://www.youtube.com/watch?v=oIuHiBGOK7Y&feature=emb_title

(Kosova Sot Online)