Haxhiu: Publikimet e përgjimeve janë tronditëse, ftoj organet për masa urgjente

  • G.G /
  • 04 August 2021 - 16:48
Haxhiu: Publikimet e përgjimeve janë tronditëse, ftoj organet për masa urgjente

Publikimet nga Gazeta Online Shqip.com në kuadër të Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes” i ka konsideruar si “tronditëse”, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka kërkuar nga organet kompetente që të marrin urgjentisht masa për trajtimin e rasteve të personave që përmenden në përgjime.

“Gjatë këtyre ditëve kemi përcjell me shumë vëmendje publikimet nga përgjimet. Të cilat janë tronditëse për sistemin e drejtësisë, përkatësisht për sistemin prokurorial dhe gjyqësor”, ka thënë Haxhiu.  

“Të vetëdijshëm se zyrtarë të ndryshëm kanë abuzuar me detyrën rolin dhe përgjegjësitë e tyre jemi angazhuar pareshtur të vijmë në shërbim të drejtësisë për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Kambanat për cenimin e Drejtësisë po bien serish, disa vite pas publikimit të aferës Pronto”, ka thënë para gazetarëve ajo.  

Ministrja është shprehur e habitur se si numri më i madh i mediave në Kosovë, nuk i ka përcjellur fare publikimet e Shqip.com dhe gjithashtu shoqëria civile ka heshtur.

“Përkundër faktit që kanë kaluar disa ditë që nga nisja e përgjimeve nuk kemi parë reagime shoqërore, nga mediat, nga shoqëria civile, janë të pakta mediumet apo portalet që ka publikuar një portal në republikën e Kosovës”.

“Nuk po ndodhë e njëjta ku ka pasur edhe protesta nga shoqëria civile dhe opozita. Këtu po ndodhë një skandal i madh, por nuk po ka reflektim”.

Kjo ishte edhe arsyeja që Haxhiu thotë se “kam vendosur të dal në konferencë të thërras për përgjegjësi, për reagim shoqëror, qoftë nga shoqëria civile, qoftë nga mediat”.  

“Është e papranueshme dhe e paprecedent që për një skandal që bëhet fjalë për institucione të shtetit të flas vetëm qeveria”.

“Më nuk ka dilema që Vettingu është shumë i rëndësishëm dhe draft dokumenti pritet të miratohet në fund të këtij muaji në qeveri. Jemi duke parë me sytë tanë cenimin dhe integritetin e drejtësisë, prandaj nuk mund të rrimë pa vepruar”.

“Kjo situatë na dëshmon se nuk është i përfshirë vetëm i shkarkuari i djeshëm, por po bëhet fjalë edhe për prokurorë, për gjyqtarë të gjykatës së apelit. Fliten emra që janë në nivelin më të lartë, duke nisur nga kryeprokurori i shtetit dhe heshtja nuk duhet të mbizotërojë”, ka thënë Haxhiu.

“Nga këtu publikisht, duke qenë e vetëdijshme për ndarjen e pushtetit, ftoj organet të ndërmarrin urgjentisht masa që të trajtojnë këto raste. Qëndrimi im nuk duhet të jetë indiferent, një skandal i tillë nuk më lejon të qëndroj e heshtur, të qëndroj në shtëpi”.

“Prandaj zotohem se brenda kompetencave të mia do angazhohem. Të veprojnë në përputhje me kompetencat që kanë”, ka përfunduar ajo.  

Publikimi ku protagonist është gjyqtari i krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit, Driton Muharremi, është pjesa e katërt e serisë së publikimeve të Dosjes “Inteligjenca e Zhvatjes”, pas së cilës ka reaguar edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Nga ky këshill thonë se këto publikime po përcillen me vëmendje dhe do të veprojë sipas procedurave dhe afateve që përcaktohen me Rregulloren për Procedurën Disiplinore të anëtarëve të KGJK-së.

Pas publikimeve tashmë është shkarkuar Dardan Nuhiu, i cili po mbante pozitën e drejtorit të Njësisë së Inteligjencës Financiare dhe gjithashtu janë autorizuar hetimet për prokuroren Shemsije Asllani.

(Kosova Sot Online)