Kjo kompani po ua ofron nga 1.000 dollarë punëtorëve që vaksinohen

  • E.K /
  • 05 August 2021 - 08:42
 Kjo kompani po ua ofron nga 1.000 dollarë punëtorëve që vaksinohen

“Vanguard”, një ndër kompanitë më të fuqishme të investimeve në botë, do t’ua ofrojë nga 1.000 dollarë punëtorëve të vet në ShBA, nëse e marrin vaksinën kundër koronavirusit.

Stafi duhet të sjellë vërtetim për vaksinim deri në tetor dhe nga kjo ofertë do të përfitojnë edhe punëtorët që janë vaksinuar më herët, shkruan BBC.

Kohëve të fundit, kompanitë amerikane po marrin qasje të ndryshme me njëra-tjetrën rreth vaksinimit të stafit. Për shembull, gjigantët “Google” dhe “Microsoft” e kanë bërë të detyrueshëm vaksinimin për tërë stafin.

Kompania “Vanguar”, e cila ka rreth 16.500 punëtorë në Shtetet e Bashkuara, tha se vaksinat janë mënyra më e mirë për ta ndalur përhapjen e Covid-19 dhe se e inkurajon fuqishëm stafin për t’u vaksinuar.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara po përballen me rritje të numrit të infektimeve kohëve të fundit. Besohet se në përkeqësimin e gjendjes po ndikon përhapja e variantit më ngjitës, Delta.

Qeveria qendrore po përballet edhe me kundërshtimin e disa guvernatorëve rreth masave më të rrepta. Guvernatorët e Teksasit dhe Floridës, për shembull, kanë marrë masa kundër detyrimit për vendosjen e maskave. Kjo gjë e ka irrituar Presidentin Biden, i cili u ka thënë që “të ndihmojnë ose të largohen nga rruga”.

(Kosova Sot Online)