Ministria e Financave për policën kufitare: Mbulimi i kostos do të bëhet për këto automjete

  • G.G /
  • 05 August 2021 - 13:08
Ministria e Financave për policën kufitare: Mbulimi i kostos do të bëhet për këto automjete

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se mbulimi i kostos së policës kufitare për bashkëatdhetarët, do të jetë i mundur vetëm për veturat dhe motoçikletat që hyjnë fizikisht përmes pikave kufitare.

Sipas ministrisë, policat kufitare të subvencionuara kanë vlefshmëri 1-mujore dhe në rast të qëndrimit përtej afatit 1-mujor të policës së subvencionuar, polica mund të ripërtërihet.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e sheh të nevojshme të sqarojë për të gjithë bashkatdhetarët se mbulimi i kostos së policës kufitare/kartonit të gjelbër është i mundshëm vetëm për veturat dhe motoçikletat që hyjnë fizikisht përmes pikave kufitare”, thuhet në njoftim.

Ministria ka bërë të ditur se policat e subvencionuara kanë vlefshmëri 1-mujore.

“Policat kufitare të subvencionuara kanë vlefshmëri 1-mujore dhe në rast të qëndrimit përtej afatit 1-mujor të policës së subvencionuar, polica mund të ripërtërihet në dy mënyra:(i) duke kaluar përsëri nëpër njërën nga pikat kufitare për të marrë edhe një policë të subvencionuar nga shteti, ose (ii) duke blerë policë të re në njërën nga zyrat e BKS-së brenda territorit të vendit”, thekson njoftimi.

“Vlen të theksohet se policat që blihen brenda territorit të vendit, i nënshtrohen zbritjes së çmimit prej 35%, sipas vendimit të BQK-së. Ky aranzhim është i domosdoshëm, marrë parasysh se kalimi përmes sistemit të kontrollit kufitar është mënyra e vetme për të identifikuar saktësinë e të dhënave që shërbejnë si bazë për subvencionim e policës kufitare”, bën të ditur ministria.

(Kosova Sot Online)