Babai palestinez nuk pret drejtësi për të birin e vrarë nga trupat izraelite

  • G.G /
  • 05 August 2021 - 13:10
Babai palestinez nuk pret drejtësi për të birin e vrarë nga trupat izraelite

Një javë pas vdekjes së djalit të madh, Moyaed al-Alami ulet dhe i përqafon e i puth dy fëmijët tjerë që i kanë mbetur.

Ushtria izraelite ka hapur një hetim për vrasjen e 12-vjeçarit Mohammed al-Alami, i cili u qëllua nga ushtarët izraelitë përderisa po udhëtonte në veturën e familjes, shkruan Independent.

Por kjo nuk po i ofron rehati babit të të vrarit, i cili është i shkatërruar nga vdekja e të birit dhe ka pak besim se do të shohë drejtësi. “Nuk kam besim në këtë hetim derisa t’i shoh ushtarët në gjykatë”, tha ai.

Pjesa e pasme e veturës së Moyaed-it është e bërë shoshë nga plumbat dhe ulëset e pasme ende janë të mbuluara me njolla gjaku. Mohammedi u qëllua dhe u vra nga forcat izraelite përderisa po udhëtonte me babanë dhe dy fëmijët tjerë në vendlindjen e tyre, Beit Ummar, në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Vdekja e tij nxiti përleshje të dhunshme mes protestuesve palestinezë dhe trupave izraelite për dy ditë, duke rezultuar në vdekjen e një protestuesi.

Duke i sjellë ndër mend ngjarjet e javës së kaluar, al-Alami tha se sapo kishte marrë ca ushqime për fëmijët, kur Mohammedi i kërkoi që të kthehej në dyqan. “Mohammedi më tha: “Baba, ke harruar diçka”. E pyeta se a ishte diçka e nevojshme dhe më tha se ishte shumë e nevojshme. Prandaj, i thashë se do të kthehemi dhe do ta blejmë atë”, tha al-Alami.

Burri palestinez thotë se e ktheu veturën. Pak më vonë, vetura e tij, Renault i bardhë, u qëllua nga plumbat në pjesën e pasme, përfshirë tre plumba për të cilët thotë se e goditën të birin e tij.

Djaloshi u dërgua në spital dhe iu nënshtrua një operacioni për katër orë para se të vdiste. Ushtria izraelite ka thënë se ushtarët në atë zonë kishin bërë thirrje që vetura të ndalej dhe se kanë realizuar të shtëna paralajmëruese dhe i kanë pasur për qëllim vetëm gomat e veturës.

Megjithatë, al-Alami thotë se nuk ka dëgjuar ndonjë paralajmërim. Në veturë janë mbi 10 vrima plumbash.

(Kosova Sot Online)