Helikopteri i KFOR-it shuan vatrat e zjarrit në Rugovë

  • A.P /
  • 05 August 2021 - 18:07
Helikopteri i KFOR-it shuan vatrat e zjarrit në Rugovë

Helikopteri i KFOR-it po ndihmon në shuarjen e zjarrit në Shtupeq të Rugovës.

Lexues kanë dërguar video nga vendi i ngjarjes ku helikopteri shpërndan ujë në vatrat e kapluara nga zjarri në malet e Rugovës.

Gjatë ditës zjarri ka përfshirë gjashtë vatra në fshatrat e Komunës së Istogut. Nga ndërhyrja e banorëve, zjarrfikësve e policisë, është arritur të lokalizohet zjarri dhe situata të jetë nën kontroll

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Istogut, Enver Rugova, ka deklaruar se në fshatin Llukafc i Begut është rrezikuar të digjet edhe shkolla.

 

Kurse situata ende vazhdon të mbetet kritike nga zjarret, informon kryetari i Suharekës Bali Muharremaj.

“Edhe pse sot në mesditë nuk kemi pasur raste të zjarreve, era e fortë ka shkaktuar përplasje të telave të rrymës dhe si rezultat i kësaj situate janë djegur disa shtëpi, si në Mushtisht Sallagrazhdë, Gjinoc, e në shumë pjesë tjera”, njofton tutje Muharremaj.

Ai thotë se të gjitha ekipet janë në teren “me të gjitha kapacitet vepruese”.

“Duhet të jemi në mobilizim e sipër, ngase temperatura e lartë po shkakton zjarre në disa dimenzione, mirëpo unë shpresoj dhe besoj që edhe në fshatra po mobilizoheni në grupe vullnetare që të mbetemi vigjilent përballë kësaj situate”, thotë Muharremaj në reagimin e tij në Facebook.

(Kosova Sot Online)