Kushdo që pa autorizim përgjon deklaratën e personit tjetër, dënohet me kaq vite burg në Kosovë

  • E.K /
  • 06 August 2021 - 10:50
Kushdo që pa autorizim përgjon deklaratën e personit tjetër, dënohet me kaq vite burg në Kosovë

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që pa autorizim përgjon bisedën e dikujt, dënohet me burgim nga 1 deri në 3 vjet

Në Kosovë ka raste kur qytetarët e thjeshtë por edhe zyrtarët e shtetit, ‘përgjohen’ nga persona të ndryshëm dhe shpesh biseda që bëhet me ta incizohet.

Mirëpo diçka e tillë është e ndaluar me Kodin Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

Neni 201 i këtij Ligji saktëson se çfarë ndodh me një person nëse bën përgjime të paautorizuara.

Pika 1 e këtij neni thotë se kushdo që pa autorizim, përgjon bisedën apo deklaratën ose i mundëson personit tjetër të jetë në dijeni për bisedën apo deklaratën e cila është përgjuar pa autorizim, dënohet me burgim prej një (1) deri në tre (3) vjet.

Pika 2 thotë e kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet nga personi zyrtar në keqpërdorim të pozitës apo autorizimeve të tij, kryesi dënohet me burgim prej dy (2) vjet deri në pesë (5) vjet.

Ndërsa pika e fundit dhe e tretë e këtij neni thotë se pajisjet e përdorura për kryerjen e veprës penale nga paragrafi 1. i këtij neni konfiskohen.

Përgjimet sipas ligjeve në Kosovë, gjithmonë duhet të kryhen me urdhër të Gjykatës.

(Kosova Sot Online)