Aktori turk udhëton mbi 700 kilometra për t’iu dalë në ndihmë zjarrfikësve

  • E.K /
  • 06 August 2021 - 11:17
 Aktori turk udhëton mbi 700 kilometra për t’iu dalë në ndihmë zjarrfikësve

Aktori turk, Tevfik Erman Kutlu, ishte në pushime nga xhirimet në Stamboll, kur zjarret në natyrë filluan në një pjesë të madhe të jugut të Turqisë.

Për shkak të dëshirës së madhe për të ofruar sado pak ndihmë në luftën kundër flakëve, ai dhe pesë miq të tij udhëtuan 725 kilometra për në Marmaris për t’iu dalë në ndihmë zjarrfikësve, shkruan Independent.

Posa arritën atje, miqtë formuan një zinxhir njerëzor për të ndihmuar në bartjen e aparateve për fikjen e zjarrit, zgjatën një zorrë deri te zjarrfikësit dhe madje e luftuan një zjarr në një kodër me duart e veta, duke hedhur ujë me shtypje në flakë, nën këshillat e ekipeve të zjarrfikësve.

“Në vend që të ulem në shtëpi e t’i shikoj pamjet e zjarreve në rrjetet sociale, dëshirova që të jem i dobishëm”, thotë aktori 41-vjeçar, i cili luan në një dramë rreth mafisë së nëntokës.

Ai dhe miqtë e tij janë në mesin e qindra vullnetarëve që u janë bashkuar përpjekjeve për t’i luftuar zjarret e mëdha në jug dhe jugperëndim të vendit. Gjendja me zjarret është përkeqësuar nga vala e vapës, lagështia e ulët dhe erërat e fuqishme.

Zjarret, që po cilësohen si më të rëndat që mbahen mend nga gjenerata e tanishme në Turqi, deri më tani kanë shkaktuar tetë viktima dhe dëme të mëdha materiale.

Aktori turk, Tevfik Erman Kutlu

(Kosova Sot Online)