Zjarri zhduk nga harta qytezën historike

  • G.G /
  • 06 August 2021 - 13:15
Zjarri zhduk nga harta qytezën historike

Pas 3 javësh i rrethuar nga flakët, një qytezë e vogël malore në veri të Kalifornisë tashmë nuk ekziston më. Erërat e forta, me shpejtësi deri në 65 km/h bënë që zjarri të përhapej me shpejtësi në Grinvill (Greenville), qytezën historike amerikane, simbol të epokës së Perëndimit të Egër dhe gjuetisë së arit.

Disa prej godinave të shkatërruara plotësisht ishin më shumë se 100-vjeçare, thanë autoritetet. “E gjithë qyteza nuk ekziston më, e humbëm plotësisht”, tha administratori i Kontesë Plumas, Kevin Gross. Sherifi i Kontesë Plumas, Tom Johns, i cili ishte edhe vetë banor i Grinvill, tha se janë shkatërruar më shumë se 100 banesa dhe shumë biznese.

Të mërkurën, teksa flakët afroheshin drejt qytezës, autoritetet i bënë thirrje 800 banorëve të largoheshin. Por zjarrfikësit duhet të bënin një punë shumë bindëse për t’u mbushur mendjen disave që të linin shtëpitë e tyre. Deri të enjten, zjarri ishte shndërruar në të gjashtin më të madh në historinë e shtetit të Kalifornisë, thanë zyrtarët e Departamentit të Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarret.

Gjithçka mendohet se nisi më 14 korrik, flakët përfshinë një sipërfaqe mbi 1300 kilometrash katrorë, një zonë më e madhe se i gjithë qyteti i Los Anxhelosit. Shkaku i zjarrit nuk është përcaktuar, por kompania “Pacific Gas & Electric” ka thënë se mund të ketë nisur pasi një pemë kishte rënë mbi një prej kabujve elektrikë të saj.

(Kosova Sot Online)