Gjermania hap hetime për vrasje pas vërshimeve vdekjeprurëse

  • E.K /
  • 06 August 2021 - 15:38
 Gjermania hap hetime për vrasje pas vërshimeve vdekjeprurëse

Dy zyrtarë në Gjermani janë nën hetime për dyshimin për vrasje nga neglizhenca shkaku i evakuimit të ngadalshëm gjatë vërshimeve që lanë mbi 170 të vdekur, njoftuan të premten autoritetet gjermane.

Rajoni Rheinland-Pfalz pësoi më së shumti nga vërshimet më vdekjeprurëse në gjashtë dekada, me ç’rast u shkaktuan edhe dëme të mëdha materiale. Sipas vlerësimit fillestar, kostoja e riparimit e arrin shifrën e 6 miliardë eurove.

Zyra për Hetime Kriminale e këtij rajoni tha se në bazë të punës fillestare të zyrës së prokurorit publik në qytetin Koblenz, ka shenja që tregojnë se evakuimet janë vonuar dhe se dy zyrtarë në distriktin perëndimor, Ahrweiler, janë duke u hetuar.

Dy zyrtarët, emrat e të cilëve nuk u publikuan, dyshohen për vrasje nga neglizhenca dhe lëndim trupor nga neglizhenca. Dokumentet dhe të dhënat nga ekipi i krizave dhe mjetet personale të komunikimit janë marrë për analizë, shkruan Reuters.

Vërshimet e kanë tundur politikën gjermane para zgjedhjeve të përgjithshme në shtator, duke ngritur pytje rreth asaj se pse ekonomia më e madhe e Evropës u zu kaq e papërgatitur dhe si të bëhen përgatitjet për ndikimin e ngrohjes globale.

Sipas një ankete të muajit të kaluar të gazetës “Bild”, dy e treta e gjermanëve besojnë se politikëbërësit federalë dhe rajonalë është dashur të bëjnë më shumë për t’i mbrojtur komunitetet.

(Kosova Sot Online)