Një grua e re mbytet nga tigri në mes të parkut

  • S.A /
  • 07 August 2021 - 08:57
Një grua e re mbytet nga tigri në  mes të parkut

Një grua e re, që punonte në një park të Kilit, ka vdekur pas sulmit nga një tigër, njoftoi policia e këtij shteti.

Gruaja, emri i së cilës nuk u publikua nga autoritetet, ishte pjesë e stafit që po kryente punë të pastrimit dhe mirëmbajtjes në kafazin e kafshës së rrezikshme në qytetin Rancagua, 90 kilometra në jug të kryeqytetit Santiago.

Vizitorët mund të kalojnë me vetura nëpër parkun e hapur, ku kafshët lëvizin lirshëm. Kur stafi punon në zonë, kafshët mbyllen në kafaze. Gruaja që vdiq pësoi plagë në qafë, thanë autoritetet.

Williams Espinoza, pjesëtar i policisë lokale, tha se sulmi ndaj gruas zgjati pak. “Ajo nuk e dinte që dera e kafazit të kafshës ishte e hapur dhe u sulmua menjëherë nga tigri, duke e shkaktuar vdekjen e saj në vend”, tha ai.

Pas këtij rasti, parku u mbyll dhe policia po zhvillon hetime rreth rastit. Jorge Mena nga zyra rajonale e prokurorit publik tha se do të zhvillohen hetime rreth mundësisë për fajësi të një pale të tretë.

Zyrtarët e parkut ku ndodhi ngjarja nuk u përgjigjën ndaj kërkesës për një koment.

(Kosova Sot Online )