Perla dhe diamante, del në ankand byzylyku i motrës së Mbretëreshës

  • E.K /
  • 09 August 2021 - 09:38
 Perla dhe diamante, del në ankand byzylyku i motrës së Mbretëreshës

Një byzylyk që i përkiste motrës së Mbretëreshës Elizabeth, Princeshës Margaret do të dalë në ankand më 14 Shtator ku pritet të shitet për një shumë marramendëse që varion nga 30.000 në 40.000 paundë.

Princesha Margaret ishte e njohur për koleksionet e saj rrëzëllitëse të bizhuterive dhe tashmë një blerës do të mund të jetë zotërues i njërës prej tyre.

Byzylyku i punuar me perla të kultivuara dhe diamante u vendos nga motra e vogël e Mbretëreshës për portretin e saj zyrtar të 19-vjetorit. Dy radhë me perla lidhen nga një rresht me diamante midis tyre, të prerë në formë të rrumbullakët. Një tokëz gjeometrike e zbukuruar po ashtu me perla e diamante shërben si kapëse. Kjo copëz arti daton rreth vitit 1925.

Princesha Margaret ishte e njohur si rebelja e familjes mbretërore dhe zotëronte një numër të konsiderueshëm stolish të çmuara personale, ndryshe nga anëtarët e tjerë që zgjidhnin të përdornin kasafortat mbretërore.

(Kosova Sot Online)