Halit Sahitajt, të dyshuarit si “agjent rus”, iu kishin bllokuar 600 mijë euro nga shteti

  • G.G /
  • 09 August 2021 - 12:30
Halit Sahitajt, të dyshuarit si “agjent rus”, iu kishin bllokuar 600 mijë euro nga shteti

Halit Sahitaj, i dyshuar për “agjent rus”, gjatë vitit 2016 i ishin bllokuar 600 mijë euro që po i vinin nga Rusia.

Prokuroria Speciale atë transaksion e kishte cilësuar “si të dyshimtë”, për shkak se po vinin nga shteti rus.

Sahitaj, një figurë e përfolur në opinionin publik për shkak se ishte protagonist në audioincizimet e publikuara nga Gazeta Online Shqip.com – kishte pretenduar pesë vite më parë se “i është kërkuar ryshfet për t’ia lëshuar ato para”.

Më pas, ai ishte tërhequr nga ato pretendime. Sipas artikullit të publikuar në KOHA referuar burimeve përpos prejardhjes së parave, nuk kishte ndonjë provë nga Prokuroria që e lidhnin Sahitajn me ndonjë aktivitet kriminal.

Halit Sahitaj është etiketuar nëpër media si “agjent rus”.

Në audioincizimet “Inteligjenca e Zhvatjes”, Halitaj dëgjohet teksa bisedon me njerëz me funksione në prokurori, gjykatë dhe drejtor njësiti.

Prokurorja e Krimeve të Rënda, Shemsije Asllani, Drejtori i Njësitit për Inteligjencë Financiare, Dardan Nuhiu e gjykatësi i Krimeve të Rënda në Gjykatën e Apelit, Driton Muharremi – ishin bashkëbiseduesit e Sahitajt, aty dëgjohet teksa zyrtarët e shtetit “keqpërdornin detyrën”.

Si rezultat i kësaj, më 3 gusht, Ministria e Financave dhe Transfereve e shkarkoi Dardan Nuhiun nga pozita e Drejtorit të Inteligjencës Financiare.

Ndërsa, gjykatësi, Driton Muharremi dha dorëheqje nga KGJK-ja, pak kohë pasi Këshilli Gjyqësor kishte themeluar një grup për shqyrtimin e çështjes së tij.

Ndërkaq, ndaj Shemsije Asllanit, Këshilli Prokurorial ka parashtruar kërkesë për inicim të procedurës displinore.

Përpos me njerëz të shtetit, Sahitaj po bisedonte edhe me gazetarë. Gazeta Online Shqip.com, të shtunën e publikoi audioincizimin ku redaktori i portalit Insajderi.org  Visar Duriqi pranon “pazarin me lajme”, pasi i kërkohet nga i dyshuari për “agjent rus”.

Pas kërkesave të publikut, media po atë ditë e publikoi edhe audioincizimin bruto.

Duriqi gjatë vitit 2019, kishte realizuar një dokumentar për Halit Sahitajn, duke e lidhur figurën e tij si “të afërt” me njerëz të presidentit rus, Vladimir Putin.

(Kosova Sot Online)