Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” protestojnë sot, paralajmërojnë padi për Komunën e Prishtinës

  • E.K /
  • 10 August 2021 - 10:50
 Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” protestojnë sot, paralajmërojnë padi për Komunën e Prishtinës

Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” në Prishtinë, sot do të protestojnë para Komunës, për vonesën e kryerjes së punimeve në këtë rrugë.

Në një njoftim për media, përfaqësuesi i banorëve të rrugës “Muharrem Fejza”, Dren Shahini, ka deklaruar se edhe pas protestës së organizuar para dy javëve, punimet nuk janë përshpejtuar.

Po ashtu, Shahini ka paralajmëruar padi për Komunën e Prishtinës.

“Sot, ne banorët e rrugës “Muharrem Fejza” me rrugët lidhëse, ditë e martë, në ora 11:30 deri ora 12:00, tek oborri i objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës do të PROTESTOJMË për përditshmërinë tonë, gjendjen e rrugës gjegjësisht punimet në rrugë. Edhe pas protestës së para dy javëve nuk kemi parë përshpejtim të punimeve. Gjithashtu, në protestë do të ju njoftojmë për peticionin i cili do t`i paraprinë PADISË nga ne banorët për Komunën e Prishtinës!”, thuhet në njoftim.

Shahini deklaron se në rrugën “Muharrem Fejza” nuk ka hapësira të sigurta për këmbësorët, derisa thotë se personat me aftësi të kufizuara kanë mbetur mbyllur qe disa muaj.

“Punimet kanë filluar tash e katër muaj, dhe prej asaj kohe përditshmëria jonë është rënduar skajshëm. Nuk kemi hapësira të sigurta për ecje si këmbësorë, persona me nevoja të veçanta tash e sa muaj kanë mbetur mbyllur. Prindërit me fëmijë të vegjël nuk kanë kah të lëvizin me karroca. Të sëmurët e të moshuarit janë në hall. Shërbimet emergjente e kanë të pamundur të qasen në lagje. Mungojnë rrugët alternative dhe ato pak rrugë që shfrytëzohen për hyrje-dalje nga lagjja nuk mirëmbahen. Kështu çdo ditë dëmtohen veturat nga gropat dhe pusetat e hapura që janë rrezik për çdo kënd”, ka deklaruar Shahini.

Shahini thotë se pas reshjeve të fundit të shiut, shumë shtëpi dhe katet përdhesë të ndërtesave në rrugën “Muharrem Fejza”, janë përmbytur.

“Ne si banorë, kërkesat tona i kemi adresuar disa here në Komunë por edhe tani jemi pa përgjigje ndaj tyre. Kemi shterur çdo formë mirëkuptimi e institucionale si banorë. Andaj, me datën e lartë cekur PROTESOJMË për: Intesifikim të punimeve, për rrugë alternative të mirëmbajtura, për mbikëqyrje të punimeve dhe zbatim të planit dinamik të punës”, deklaron Shahini.

(Kosova Sot Online)