Banda kriminale kërcënon me vrasje moderatoren e lajmeve

  • E.K /
  • 10 August 2021 - 10:54
Banda kriminale kërcënon me vrasje moderatoren e lajmeve

Një grup burrash që pretendojnë se përfaqësojnë kartelin më të fuqishëm të drogës në Meksikë kanë postuar një video në internet duke kërcënuar se do të vrasë një prezantues të lajmeve të televizionit kombëtar.

Paralajmërimi u bë nga një njeri i cili tha se po flet në emër të udhëheqësit të bandës Jalisco New Generation (CJNG).

Ai e bëri këtë me arsyetimin se Televizioni Milenio po favorizonte të ashtuquajturat grupe të vetëmbrojtjes, të organizuara për t’i rezistuar CJNG-së.

Në video, gazetarja Azucena Uresti kërcënohet drejtpërdrejt.

“Unë do t’ju detyroj të hani fjalët tuaja edhe nëse më akuzojnë për vrasje të femrave”, tha kërcënuesi.

CJNG është fajësuar për disa nga sulmet më të përgjakshme në Meksikë, dhe udhëheqësi i tij, Nemesio Oseguera Cervantes, është një nga njerëzit më të kërkuar të vendit.

SHBA ofron një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për informacionin që çon në kapjen e tij, raporton BBC.

Meksika është një nga vendet më të rrezikshme në botë për të qenë gazetar. Por edhe pse sulmet ndaj reporterëve lokalë janë të zakonshme, paralajmërime të tilla publike janë të rralla.

Zëdhënësi i Presidentit Jesús Ramírez Cuevas tha se qeveria do të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur gazetarët dhe mediat e kërcënuara.

(Kosova Sot Online)