Imami i Karaçevës tregon pse i hoqi nga e pamja fotot e Rugovës dhe Skënderbeut

  • E.K /
  • 10 August 2021 - 12:11
 Imami i Karaçevës tregon pse i hoqi nga e pamja fotot e Rugovës dhe Skënderbeut

Mëngjesin e së dielës, derisa në sallën e fshatit Karaçevë e Epërme po mbahej e pamja për hoxhën e fshatit, imami i xhamisë, Egzon Kastrati, ka larguar nga aty fotografitë e ish-Presidentit Ibrahim Rugova, heroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e disa figurave tjera historike. Banorët e kanë lajmëruar në polici, ndërkaq imami ka treguar  se pse e ka bërë një veprim të tillë

Kastrati ka deklaruar se largimi i fotografive ka qenë i përkohshëm. Ai ka thënë se në vendin ku ka fotografi, nuk hyjnë melaqet.

“Po, shumë thjesht, i kemi largu sepse aty ku ka fotografi, melaqet nuk hyjnë. Edhe i kemi largu përkohësisht, derisa të kryhet e pamja për hoxhën e fshatit, që ka vdekur hoxha i vjetër i fshatit, dhe kemi pasë me i rikthy në vendin e vet, pikë”, ka deklaruar Kastrati.

Kastrati tha se salla e fshatit është ozurpuar nga personat të cilët janë ankuar në polici për të, e që sipas tij, në komunitet njihen si ‘idiotët më të mëdhenj’.

Imami i Karaçevës së Epërme tha se fotografitë do të riktheheshin në muret e sallës pas përfundimit të riteve fetare.

“Ato janë rikthy me gjasë, nuk e di unë, sepse e kanë ozurpu tash sallën ata personat që janë anku, që në komunitet njihen si idiotët më të mëdhenj, por nuk ka problem ajo punë, ne nuk e kemi pasur qëllimin me i hekë dhe me i dëmtu, i kemi hekë i kemi lëshu poshtë, e kemi pasë qëllimin edhe me i pastru dhe me i vendosë aty. Mirëpo, dikush e ka keqinterpretua dhe me qëllim e ka laku qëllimin e zhvendosjes së fotografive, por ne nuk kemi asgjë as kundër figurave kombëtare as kundër askujt, thjesht parimet e fesë unë jam i paguar me i çu n’vend, paguhna, marr rrogë për atë punë unë”, ka deklaruar Kastrati.

Ndryshe, Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar se rasti ka ndodhur të dielën, dhe se rasti iniciuar si “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

(Kosova Sot Online)