Ish-basketbollisti i njohur i bashkohet LDK-së

  • A.P /
  • 10 August 2021 - 19:27
Ish-basketbollisti i njohur i bashkohet LDK-së

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se subjektit të cilin ai e drejton i është bashkuar edhe ish-basketbollisti, Bardh Krasniqi.

Krasniqi, që tani është afarist me profesion dhe është bashëkthemelus i kompanisë “Trekuartista”, ka qenë pjesë e disa ekipeve të njohura si Efes Pilsen në Turqi dhe Prishtinës në Kosovë.

 Ai do të jetë pjesë e lsitës së LDK për asamble në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.

Ky është postimi i plotë i Abdixhikut:

Bardh Krasniqi nga sot është pjesë e ekipit të LDK-së për Prishtinën.

Sot, bashkë me Përparimin, i uruam mirëseardhje Bardhit në rrugëtimin e tij politik për Kryeqytet. Bardh Krasniqi, nga Taslixhja e Prishtinës, bursist në studime të menaxhmentit në Stamboll, është një ndër afaristët më inovativ të rinj të Kryeqytetit.

Para kësaj Bardhin e mbajmë në mend si një ndër basketbollistët më të mirë të gjeneratës së tij, dhe jo rastësisht i zgjedhur si “lojtari më i mirë shpresë” për tri vite rresht. Ish lojtar i Kombëtares së Kosovës në basketboll, në vitin 2005 ishte ftuar nga klubi i famshëm basketbollistik ‘Efes Pilsen’ në Turqi ku dhe zhvilloi karrierë ne disa ekipe turke për plot 5 vite. Ishte ndër tê parët e ndër të rrallët që shpërthenin kufijtë tanë sportiv.

Për 8 vitet e fundit, Bardhi ishte i angazhuar në Prishtinë si Inxhinier i Rrjetave dhe Telekomunikacionit për kompani me renome globale të telefonisë mobile; të llojit të AT&T, British Telecom, Vodafone United Kingdom, e TELLABS. Ai poashtu është njëri ndër themeluesit e njërës prej kompanive më kreative në vend ‘Trekuartista’. Aty drejton një ekip të jashtëzakonshëm të të rinjëve e të rejave që punën e jetesën e zhvillojnë ndershëm e me plot mund.

Si një ëndërrimtar, si një basketbollist profesionist, si një afarsit i Kryeqytetit, vlera e Bardhit në LDK ëdhtë e domosdoshme. Ai, së bashku me plot të rinj e të reja, do të jetë edhe pjesë e listës sonë për asamble. Angazhimi kolektiv i njerëzve si Bardhi e bëjnë kryeqytetin e jetueshëm. Prandaj jemi të lumtur për ardhjen e tij. Dyert tona janë të hapura!

Baba i Irisit e Martës, bashkëshort i Zanës, djalë i Taslixhes e një ndër familjeve më të respektuara të Prishtinës, Bardhi jonë, mirë se vjen në shtëpinë e madhe.

Të priftë e mbara!

(Kosova Sot Online)