Mehaj pasi shkoi FSK-ja për shuarjen e zjarreve në Shqipëri: Ushtarakët tanë janë heronj të vërtetë

  • A.P /
  • 10 August 2021 - 20:27
Mehaj pasi shkoi FSK-ja për shuarjen e zjarreve në Shqipëri: Ushtarakët tanë janë heronj të vërtetë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka qëndruar sot në Shqipëri në zonën e Kukësit ku ka ndjekur për së afërmi angazhimin e trupave të FSK-së për shuarjen e zjarrit në këtë zonë.

“Sot për të parë nga afër zhvillimin e operacionit në shuarjen e zjarrit në malin Shën Mëri, vizitova pjesëtarët e kontingjentit të FSK-së dhe pjesëtarët e kontingjentit të zjarrfikësve nga Agjencia e menaxhimit të Emergjencave. Dhembjen për dëmet e shkaktuara nga zjarri e mbisundonte ndjenja e krenarisë për ushtarakët tanë- heronj të vërtetë që me guxim, shpirt ekipi dhe shërbim vetëmohues nderojnë emblemën tonë, Kombin dhe Atdheun”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Ministri Mehaj ka shkruar se bashkë me forcat shqiptare po vazhdojnë betejën me flakët deri në fund.

“Si një trup i vetëm bashkë me vëllezëri dhe motrat tona të Shqipërisë po vazhdojnë betejën me flakët deri në fund. Së bashku më të fortë, në ditë të vështira me vëllezërit e motrat tona”, u shpreh ministri.

Zjarret mbi tunelin e Kalimashit mbrëmjen e së hënës morën përmasa të frikshme të ndihmuara nga era aq sa per pak situata do te dilte jashtë kontrolli.

Bashkëpunimi i Forcave të Armatosura Shqiptare me ato të Kosovës bënë që zjarri mbi tunel të vihej nën kontroll dhe të mos rrezikoheshin banesat dhe as bllokimi i tunelit.

(Kosova Sot Online)