MSh: Kemi kapacitete të mjaftueshme për çdo situatë epidemiologjike

  • E.K /
  • 11 August 2021 - 09:14
 MSh: Kemi kapacitete të mjaftueshme për çdo situatë epidemiologjike

Përhapja e variantit “Delta” ka rritur interesimin e qytetarëve për të marrë vaksinën kundër Coronavirusit, kështu ka thënë zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Hoti theksoi se pavarësisht procesit të vaksinimit institucionet shëndetësore duhet të jenë të gatshme për çdo variant që mund të paraqitet.

“Për fat të mirë ditëve të fundit ne shohim që ka një rritje të interesimit të qytetarëve për t’u vaksinuar kundër Covid-19.  Në këtë aspekt besojmë që ka ndikuar përhapja e variantit Delta në Kosovë sepse deri në 70% të rasteve që rezultojnë pozitiv me Covid vijnë nga varianti Delta. Gjithashtu në rritjen e interesimit ka mundur të ndikojnë edhe paralajmërimet e ndryshme që mund të ketë masa të ndryshme kufizuese në rast se qytetarët nuk i përgjigjen procesit të vaksinimit. Por pavarësisht procesit të vaksinimit institucionet shëndetësore duhet të jenë të gatshëm për çfarëdo varianti. Nga përvojat e mëhershme institucionet shëndetësore dinë të jenë të ngarkuara kur ka raste të shumta të sëmundjes Covid-19. Por nuk ka ndonjë alternative tjetër përveç se të përgatitemi qoftë me kapacitete spitalore dhe të vazhdojmë me procesin e vaksinimit si mënyra më e vetme për t’ia dalë kundër Covid-19”, tha Hoti.

Sipas tij, ajo çka mbetet brengosëse është një numër i qytetarëve që hezitojnë të vaksinohen.

Hoti tha se vaksina është opsioni i vetëm për ta përballuar çfarëdo situate epidemiologjike që mund të shfaqet në vijim.

 “Ministria e Shëndetësisë ka arritur të sigurojë doza mjaftueshëm për secilin qytetar që duhet vaksinuar kundër Covid-19. Ajo çfarë mbetet brengosëse është një numër i qytetarëve që hezitojnë marrjen e vaksinës. Ne u bëjmë thirrje të gjithëve të vaksinohen sepse është rruga më e mirë për tu mbrojtur kundër Covid-19. Institucionet shëndetësore i kanë kapacitet për të menaxhuar në çfarëdo situate mirëpo kërkohet bashkëpunim i qytetarëve me institucionet dhe profesionistë shëndetësor. Shumica e rasteve që kërkojnë spitalizim janë raste të qytetarëve që nuk e kanë kaluar Covidin ose nuk janë të vaksinuar. Vaksina është opsioni i vetëm për ta përballuar çfarëdo situate epidemiologjike që mund të shfaqet në vijim”.

(Kosova Sot Online)