Qytetarët përkrahin vendosjen e kufizimeve për të pavaksinuarit

  • E.K /
  • 11 August 2021 - 12:38
 Qytetarët përkrahin vendosjen e kufizimeve për të pavaksinuarit

Pas rritjes së numrit të rasteve pozitive me Covid-19 dhe shfaqjes së variantit “Delta”, edhe në Kosovë po parashihen kufizime.

Ndër masat e paralajmëruara në vend nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës dhe ajo e Hotelierisë, është edhe ndalesa e qytetarëve për frekuentim të hapësirave të mbyllura publike në mungesë të së paku një doze të vaksinës Anti-Covid.

Këtë qytetarët po e shohin si të arsyeshëm.

Ramize Hamza po e quan vendim “me vend” moslejimin e frekuentimit të hapësirave të mbyllura publike të qytetarëve që akoma nuk janë vaksinuar.

Hamza tregon se edhe në Gjermani një vendim i tillë do të hyjë në fuqi prej 1 tetorit.

“I kemi marrë të dyja. Ne vijmë prej Gjermanisë, mirë kemi kaluar. Ky vendim është shumë me vend është shumë mirë. ky vendim është marrë edhe në Gjermani, nëse nuk e ke vaksinën prej 1 tetori nuk ke të drejtë me hy në restorante, fitnese e shumë vende tjera”, është shprehur ajo për ekonomiaonline.

Ndërsa qytetari tjetër, Musa Prelvukaj ka thënë se çfarëdo vendimi nga cilado qeveri që vjen, qytetarët duhet të sillen konform tij.

“I kami marrë dy dozat. Të fundit e kam marrë më 19 qershor. Ndihem mirë, nuk kam pas probleme lidhur me këtë. Më është dhënë kartoni i verdhë që është një dëshmi që mund të udhëtoj diku”, ka thënë ai.

Edhe Agon Kadriu e ka konsideruar të arsyeshëm vendimin që pritet të merret duke thënë se vetë tashmë është vaksinuar.

“Po e kam marrë. Besoj që është e arsyeshme me u marr. Duhet me u vaksinua të gjithë”, është përgjigjur ai.

(Kosova Sot Online)