Bjellorusia ia refuzon ambasadoren ShBA-së dhe ia kufizon stafin në 5 persona

  • A.P /
  • 11 August 2021 - 15:45
Bjellorusia ia refuzon ambasadoren ShBA-së dhe ia kufizon stafin në 5 persona

Bjellorusia u është kundërpërgjigjur me veprim të ashpër Shteteve të Bashkuara rreth sanksioneve të fundit që iu vendosën Minskut.

Shteti i akuzuar për autoritarizëm, shtypje të protestave e shkelje të të drejtave të njeriut u tha Shteteve të Bashkuara që nga 1 shtatori, stafi i ambasadës së saj në Minsk të përbëhet vetëm nga pesë anëtarë të stafit.

Përpos kësaj, Bjellorusia e tërhoqi pëlqimin për emërimin e zonjës Julie Fisher si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Minks.

Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Bjellorusisë, Anatoly Glaz, shkruan Free Europe.

Vetëm dy ditë më parë, Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara njoftoi për sanksione të reja kundër zyrtarëve qeveritarë të Bjellorusisë dhe aleatëve të pasur të presidentit autoritar, Aleksander Lukashenko.

Në listën e sanksioneve janë 23 individë dhe 21 entitete të lidhura me shtypjen e dhunshme të protestave dhe aterrimin e detyrueshëm të një aeroplani ku ndodhej një aktivist opozitar.

(Kosova Sot Online)