Grabiti 2kg ari në Dubai, kush është 51-vjeçari nga Prishtina që u arrestua në Kukës

  • E.K /
  • 12 August 2021 - 10:18
 Grabiti 2kg ari në Dubai, kush është 51-vjeçari nga Prishtina që u arrestua në Kukës

Policia Kufitare në Kukës ka arrestuar dje 51- vjeçarin Agron Rehfeldt, banues në Prishtinë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, për veprën penale “Grabitje me armë”.

Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit në Shqipëri tha se në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar Agron Rehfeldt.

Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar, pasi Interpol Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, ka lëshuar ndaj tij urdhër-arrestin për veprën penale “Grabitje me armë”.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në Policinë e Kukësit bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në vitin 2019, Gjykata e Apelit të Kosovës u përball me kërkesën e prokurorisë për të dënuar me burg të akuzuarin për vjedhje, Agron Rehfeldt.

Në aktgjykimi thuhej se gjykata e ka shpallur fajtor të akuzuarin, Agron Rehfeldt, për shkak se ai, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të sendeve të huaja, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka thyer një dyqan bizhuterish, duke vjedhur kështu një sasi prej rreth dy kilogramësh bizhuteri floriri.

Më saktësisht sqarohet se Rehfeldt, pas marrëveshjes paraprake me Riad Nishevcin, me datë 05.07.2011, pas mesnatës, fillimisht kanë arritur të futen në katin e sipërm e pastaj në katin përdhes të dyqanit ku ndodheshin bizhuteritë, të cilat pasi që i kanë marrë, i kanë groposur në një vend tjetër, e pastaj kanë ikur në Kosovë. Në fund të seancës, kryetari i kolegjit të gjyqtarëve, Gani Zabeli, njoftoi palët se vendimin do ta pranojnë në formë të shkruar brenda afateve te përcaktuara ligjore.

Seanca e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarit për grabitje, Agron Rehfeldt, u zhvillua më 2 gusht të vitit 2019. Prokuroria kërkonte dy vite më parë që të akuzuarit Rehfeldt t’i caktohej dënim me burgim efektiv. Gjykata Themelore në Prishtinë, me datë 30.04.2019, pas shqyrtimit fillestar, kishte shpallur fajtor të akuzuarin për vjedhje të floririt në Dubai dhe i kishte caktuar dënim me burgim prej një viti, dënim ky që nuk do të ekzekutohej në qoftë se i akuzuari nuk përsëriste vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej 2 viteve.

Ky dënim kishte ardhur si rezultat i pranimit të fajësisë nga i akuzuari dhe Gjykata e Shkallës së Parë kishte konsideruar se dënimi me burgim me kusht ishte i mjaftueshëm për t’u arritur qëllimi i tij. Ndryshe nga kjo, Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes ankesës së drejtuar Apelit, ka kërkuar që dënimi i caktuar nga Shkalla e Parë të zëvendësohej me dënim me burgim efektiv, pasi që dënimi me kusht nuk i përshtatet shkallës së rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer.

(Kosova Sot Online)