Opozita kritikon Ministrinë e Shëndetësisë për gjendjen me pandeminë, kërkojnë më shumë angazhim

  • E.K /
  • 12 August 2021 - 11:54
 Opozita kritikon Ministrinë e Shëndetësisë për gjendjen me pandeminë, kërkojnë më shumë angazhim

Deputetët e opozitës kanë kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë për gjendjen e krijuar me pandeminë.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka deklaruar se qeveria duhet të angazhohet më shumë në ruajtjen e shëndetit publik.

Ai ka thënë se nëse nuk angazhohet qeveria, Kosova do të jetë shteti me numrin më të vogël të të vaksinuarve.

“Sot më shumë se kurrë duhet angazhim i ministrit në menaxhimin me pandeminë, i bëj thirrje qeverisë që të punojë më shumë në këtë drejtim. Pa një angazhim nga qeveria do mbesim vendi i vetëm me të vaksinuar më së paku. Andaj qeveria të del me punë më shumë dhe të ruajnë shëndetin e qytetarëve”, ka thënë ai.

Ndërsa, edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, në fjalën e tij në Kuvend tha se pandemia nuk është brengë e Qeverisë Kurti. Ai u shpreh se kryeministri Albin Kurti dhe ministri, Arben Vitia kanë dështuar që të realizojnë vaksinimin për të gjithë qytetarët.

Sipas Haxhiut, qytetarët do të penalizohen për shkak të dështimit të Kurtit e Vitisë.

Ndërsa, deputeti i LDK’së, Armend Zemaj ka thënë se e gjitha kjo ka të bëjë me qasjen dhe mënyrat se si qeveria po sillet në këtë pandemi, duke shtuar se situata është alarmante.

“Situata është alarmante andaj lus qeverinë t’i kthehet realitetit, mos ja ndalni shtesat mjekëve, mos punoni sikur pandemia ka përfunduar, riktheni mbështetjen për stafin profesional shëndetësor, riktheni inspektorët”, ka deklaruar Zemaj.

Edhe deputeti i AAK’së, Besnik Tahiri kritikoi Qeverinë, derisa tha se ajo ka dështuar edhe në Ligjin e Pagave.

Ai kërkoi që urgjentisht të punohet në këtë drejtim.

(Kosova Sot Online)