Kërkohet nga Qeveria t’i shpallë luftë SHIK-ut, ja me kë i kishte lidhjet Dardan Nuhiu

  • G.G /
  • 12 August 2021 - 12:09
Kërkohet nga Qeveria t’i shpallë luftë SHIK-ut, ja me kë i kishte lidhjet Dardan Nuhiu

Nga Qeveria e Kosovës po kërkohet me ngulm që të vazhdojë betejën e asaj që ka premtuar dhe të fillojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Qeverisë Kurti, gjithashtu po i kërkohet që të ketë guxim dhe përkushtim për t’i identifikuar të gjitha strukturat kriminale të instaluara nga SHIK-ut.

Një kërkesë të tillë po e bënë ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, i cili thotë se, duhet të hetohen të gjitha strukturat që u instaluan nga SHIK në vendet kyçe të shtetit.

Ai kërkon hetim për të kaluarën e tyre, pasi që sipas tij, zhvatja e shtetit është bërë nga SHIK për dy dekada.

“Çdo luftim ndaj vepër kryesve të krimit është goditje ndaj krimit, dhe tani këto reagime të opozitës që po e kuptojnë se për katër vitet në ardhje kjo qeveri do ta luftoj krimin pamëshirshëm, dhe shumë nga këta opozitar që janë të zhytur në krim, e që janë shumë nga ta që përmes veprave kriminale kanë arritur pasuri të pakufishme, dhe tani edhe në të ardhmen nga çdo goditje ndaj krimit, opozitarët do të trishtohen, prandaj edhe shkarkimi i Dardan Nuhiut, është një goditje e rëndë për krimin e instaluar në kupolën e majat e shtetit të Kosovës nga para politika e inkriminuar e SHIK-ut ilegal, pasi që emërimi i tij në këtë pozitë ishte bërë pikërisht në mandatin e parë të Hashim Thaçit kryeministër i Kosovës, për të vazhduar pastaj sikur me Tapia edhe gjatë mandatit presidencial të Hashim Thaçit”, thotë Tërnava.

Sipas tij, Nuhiu ishte i dëgjuari i Thaçit.

“Në arkivin e lajmeve të zyrës së Presidentit të Kosovës është evidentuar pritja që i ka bërë Presidenti Thaçi drejtorit të Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës, Dardan Nuhiu, në prill të vitit 2017, e për të cilin kishte pasur vlerësim pozitiv për punën e tij në krye të këtij institucioni tani më të kriminalizuar në kuadër të MEF-it. Edhe ky nominim i Dardan Nuhiut nga ana e Presidentit, është dëshmia më e fortë e cila i dëshmon faktet se ata të përzgjedhur që ishin aty ku nominoheshin, ishin të dëgjueshmit e tyre, dhe punonin për ta, sepse është kuptueshme që edhe ata do të pasurohen edhe për veti, por mbi të gjitha do të jenë të besueshmit e shefave, edhe duheshin që në çdo rast ti mbrojnë shefat e tyre edhe nëse ishin të zhytur me krime të ndryshme”, pohon ai.

Tërnava shton se, tash është rasti i duhur që të bindet elektorati se qeveria Kurti po e lufton korrupsionin.

“Një luftim i ashpër i krimit sikur i këtyre rasteve të fundit të aferës së përgjimit që dolën në shesh, është rast i volitshëm që të bindet edhe elektorati se kjo qeveri premtimet e dhëna do i realizon në vepër, prandaj tash e tutje mund të pritet që të luftohet krimi pandërprerë, dhe njëherë e përgjithmonë Kosova ta merr rrugën e mbarë drejtë BE-së”, përfundon Hajrullah Tërnava.

(Kosova Sot Online)