Aktakuzë ndaj pilotit që uli helikopterin në qendër të qytetit për të blerë tortë

  • E.K /
  • 12 August 2021 - 12:48
 Aktakuzë ndaj pilotit që uli helikopterin në qendër të qytetit për të blerë tortë

Dëshira e madhe për t’u ëmbëlsuar i ka kushtuar me përballje me ligjin një piloti kanadez, i cili e uli helikopterin në qendër të një qyteze në Kanada për të blerë tortë me akullore.

Banorët e qytezës Tisdale shikuan të mahnitur më 31 korrik se si një helikopter po lëshohej në parkingun e veturave, afër një restoranti, duke shkaktuar pluhur përderisa ulej.

Fillimisht, banorët menduan se helikopteri u përket shërbimeve emergjente dhe se ishte duke realizuar ndërhyrje në ndonjë rast mjekësor për shkak të ngjyrës së njëjtë me helikopterët e shërbimit ambulantor.

Por kur kryetari i qytezës e pa pilotin duke dalë nga restoranti me një tortë në duar, ai kuptoi se helikopteri kishte mision tjetër, shkruan The Guardian.

“Mendova se dikush duhet të jetë uritur. Fillimisht, mendova se kjo ndoshta nuk ishte gjëja e duhur për t’u bërë”, tha kryetari i qytezës, Al Jellicoe. Edhe policia u pajtua me qëndrimin e tij.

Të mërkurën, policia tha se hetuesit kanë përcaktuar se aterrimi i helikopterit afër restorantit nuk ka qenë emergjencë dhe kanë ngritur aktakuzë ndaj pilotit.

Piloti, emri i të cilit nuk është publikuar, kishte leje për ta drejtuar helikopterin, por u parkua në vend të palejuar. Ai pritet të dalë në gjykatë më 7 shtator.

(Kosova Sot Online)