Erdogani kërkon bisedime me talibanët, ndërsa kurdët i cilëson terroristë

  • G.G /
  • 12 August 2021 - 13:10
Erdogani kërkon bisedime me talibanët, ndërsa kurdët i cilëson terroristë

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha të mërkurën se autoritetet turke janë duke punuar për organizimin e bisedimeve me talibanët.

“Institucionet përkatëse të Turqisë tash për tash janë duke punuar derisa të kemi bisedime me talibanët. Ndoshta edhe unë mund të jem në pozitë për ta pritur personin që do të jetë udhëheqës i tyre”, tha presidenti turk në një intervistë për CNN Turk.

Ai më herët tha se ka biseduar me emirin e Katarit dhe me të ka diskutuar për atë se “ku mund t’i ndalim hapat e marrë nga talibanët dhe ku mund të bëjmë hapa drejt paqes”.

Erdogan deklaroi se nëse talibanët nuk vendosen nën kontroll, “nuk do të jetë e mundshme që ta arrijmë paqen në Afganistan”.

Qasje krejt tjetër presidenti turk ka ndaj kurdëve, të cilët jetojnë në pjesën juglindore të Turqisë. Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit Turqia e cilëson si grup terrorist.

Pas tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani, Turqia po synon që ta marrë nën kontroll aeroportin e Kabulit. Një plan i tillë është kundërshtuar nga talibanët, të cilët e kanë paralajmëruar Turqinë për pasoja.

(Kosova Sot Online)