Pamje: Turqit sulmojnë shtëpitë e veturat e sirianëve pas vrasjes së të riut

  • G.G /
  • 12 August 2021 - 13:23
Pamje: Turqit sulmojnë shtëpitë e veturat e sirianëve pas vrasjes së të riut

Protestuesit kundër imigrantëve kanë sulmuar shtëpi, dyqane dhe vetura të sirianëve në Ankara. Kjo ndodhi pas vrasjes së dyshimtë të një adoleshenti vendës.

Dhuna shpërtheu të mërkurën në mbrëmje pas raportimeve se një refugjat sirian ka therur dy burra turq gjatë një përleshjeje.

Qindra vendës u mblodhën në një zonë të Ankarasë ku jeton komuniteti i imigrantëve dhe refugjatëve sirianë, shkruan BBC.

Në videot e publikuara në internet shihen grupe të burrave duke përmbysur vetura dhe duke vandalizuar dyqane.

Qasja kundër imigrantëve në Turqi është rritur viteve të fundit. Disa politikanë kanë bërë fushatë për masa më të rrepta ndaj ardhësve.

Tensionet janë rritur me ardhjen e mijëra afganëve, të cilët kanë ikur nga konflikti i përkeqësuar në atdheun e tyre.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se Turqia tash për tash ka numrin më të madh të refugjatëve në botë, përfshirë mbi tre milionë sirianë.

Sulmet e së mërkurës në lagjen Altindag erdhën pas vrasjes së 18-vjeçarit turk, Emirhan Yalcin, në përleshje mes refugjatëve sirianë dhe vendësve.

https://twitter.com/i/status/1425683543603224576

(Kosova Sot Online)