Maas: Nëse hyn në fuqi Sheriati, Gjermania s’ia jep asnjë cent Afganistanit

  • A.P /
  • 12 August 2021 - 15:58
Maas: Nëse hyn në fuqi Sheriati, Gjermania s’ia jep asnjë cent Afganistanit

Gjermania nuk do të ofrojë ndonjë ndihmë financiare për Afganistanin, nëse talibanët e marrin pushtetin dhe e fusin në fuqi sistemin juridik të Sheriatit, tha të enjten kryediplomati gjerman, Heiko Maas.

“Do të ofrojmë nga 430 milionë euro çdo vit, nuk do të japim asnjë cent, nëse talibanët e marrin pushtetin dhe e sjellin ligjin e Sheriatit”, tha ministri i Jashtëm i Gjermanisë për televizionin ZDF.

Ndryshe, forcat qeveritare afgane po përballen me ofensivë të gjerë të talibanëve në disa fronte pas tërheqjes së trupave të huaja, të udhëhequra nga forcat amerikane.

Avancimi i talibanëve e ka shqetësuar komunitetin ndërkombëtar dhe vendet e rajonit si dhe ka nxitur kritika për vendimin e Shtëpisë së Bardhë për tërheqjen e trupave.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se afganët duhet të luftojnë vetë për ta mbrojtur vendin e tyre, ndërsa Rusia me disa shtete të Azisë Qendrore ka zhvilluar ushtrime të përbashkëta ushtarake vetëm 20 kilometra larg kufirit afgan, në Taxhikistan.

Fuqitë botërore kanë bërë thirrje për zgjidhje të konfliktit në mënyrë paqësore dhe me negociata.

Një burim i lartë qeveritar në Afganistan i ka thënë televizionit Al Jazeera se qeveria afgane u ka bërë një propozim për ndarjen e pushtetit talibanëve në këmbim të ndaljes së dhunës. Sidoqoftë, propozimin nuk e konfirmoi presidenca afgane.

(Kosova Sot Online)