Akuza të reja ndaj kritikut të Vladimir Putinit

  • A.P /
  • 12 August 2021 - 22:30
Akuza të reja ndaj kritikut të Vladimir Putinit

Kritiku i burgosur i Kremlinit, Aleksei Navalni ndeshet me një akuzë të re, se organizata jofitimprurëse që ai themeloi nxit rusët të thyejnë ligjin.

Akuza, e cila u bë e ditur të mërkurën nga Komiteti Hetimor i Rusisë, mund ta shtojë me tre vjet dënimin me burg të aktivistit.

Komiteti tha se organizata e Navalni, Fondacioni për Luftimin e Korrupsionit, nxiti rusët të “kryejnë akte të paligjshme” duke i shtyrë të merrnin pjesë në protestat pa leje të janarit.

45-vjeçari Aleksei Navalni, aktualisht po vuan dënimin me dy vjet e gjysmë burg pasi u shpall fajtor në 2014 për përvetësim fondesh. Ai u arrestua në janar kur po kthehej nga Gjermania ku ishte mjekuar nga probleme shëndetësore që besohet se ishin rezultat i një sulmi të Kremlinit me agjent nervor. Autoritetet ruse i kanë hedhur poshtë këto akuza.

Në qershor, fondacioni i Navalni u nxor jashtë ligjit si “organizatë ekstremiste”. Autoritetet kanë bllokuar disa portale mediatike të operuara nga fondacioni i tij, duke i akuzuar se përhapin propagandë problematike. Dy nga aleatët e afërt të Navalni, Ivan Zhdanov dhe Leonid Volkov, janë nën hetime kriminale aktualisht.

Aleatët e Navalni thonë se goditja e autoriteteve ka si synim të dobësojë opozitën ndërkohë që afrojnë zgjedhjet parlamentare të 19 shtatorit.

(Kosova Sot Online)