Rusia vazhdon politikën e hakmarrjeve, e dëbon gazetaren e BBC-së

  • G.G /
  • 13 August 2021 - 12:16
Rusia vazhdon politikën e hakmarrjeve, e dëbon gazetaren e BBC-së

Rusia i ka kërkuar një gazetareje të transmetuesit publik britanik, BBC, që të largohet nga vendi deri në fund të muajit si hakmarrje për atë që e cilëson si diskriminim i Britanisë ndaj gazetarëve rusë.

Televizioni shtetëror rus, Rossiya 24, tha se Sarah Rainsford, një nga korrespondentet e BBC-së në Moskë, është shpallur persona non grata dhe do të kthehet në atdhe, duke e cilësuar veprimin si “deportim simbolik”.

Mediumi rus raportoi se autoritetet ruse kanë vendosur që të mos ia vazhdojnë afatin e akreditimit si gazetare e huaj reporteres së BBC-së si hakmarrje ndaj veprimit të Britanisë, e cila nuk ua ka vazhduar afatin ose nuk u ka lëshuar viza gazetarëve rusë, shkruan The Guardian.

BBC-ja dhe Rainsford nuk u përgjigjën menjëherë ndaj kërkesave për koment. Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë tha se do të komentojë për këtë çështje posa një gjë të tillë ta bëjë gazetarja.

As Ambasada e Britanisë së Madhe në Rusi nuk e ka komentuar menjëherë vendimin.

(Kosova Sot Online)