Sa paguhet një mjek në Kosovë, e sa në Gjermani

  • E.K /
  • 14 August 2021 - 09:30
 Sa paguhet një mjek në Kosovë, e sa në Gjermani

Gjatë dy viteve të fundit, rreth 220 mjekë e kanë lënë Kosovën, për të kërkuar punë në Gjermani dhe vende tjera të BE-së. Arsye për këtë duket të jetë paga e lartë që mjekëve iu ofrohet në këto shtete

Trendi i ikjes së mjekëve nga Kosova, për në vendet e BE-së, po vazhdon të jetë në rritje. 150 mjekë pritet të largohen nga Kosova vetëm këtë vit.

Përfaqësues nga Oda e Mjekëve të Kosovës, thonë se ky trend i rritjes po thellon krizën për staf shëndetësor. Sipas tyre, arsyet e largimit të mjekëve nga Kosova, kanë të bëjnë me kushtet e këqija të punës, problemet me specializim dhe pagat e ulëta.

Paga bruto (e pataksuar) e mjekëve në Kosovë është 610 euro, derisa në Gjermani, ata paguhen deri në 4 mijë euro.

Për një vit në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, diplomojnë rreth 150 mjekë të rinj.

Sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, një numër i përafërt pritet të largohet nga Kosova deri në fund të këtij viti.

Pleurat Sejdiu nga kjo Odë, tha se shumica e mjekëve që largohen nga Kosova, shkojnë në Gjermani.

“Që nga funksionalizimi i Odës së Mjekëve të Kosovës, tash është viti i katërt, këtë vit ka qenë numri më i madh. Vetëm për 7 muajt e parë kemi pasur 82 mjekë, të cilët kanë kërkuar dokumentin për largim, i cili iu duhet si referencë apo si dokument nga Oda e Mjekëve që nuk kanë ndonjë problem me kodin e etikës profesionale dhe me ligjet në Kosovë”, tha Sejdiu.

Sejdiu tha se rreth 220 mjekë janë larguar nga Kosova në dy vjetët e fundit dhe nëse vazhdon ky trend i largimit, Kosova do të përballet me mungesën e mjekëve.

“Unë mendoj që brenda 5 vjetëve do ta kemi krizën se trendi shkon edhe tek rritja e numrit të specialistëve të rinj që largohen. Në gjashtëmujorin e parë, kemi pasur 7 specialistë të rinj që janë larguar dhe kjo e keqëson edhe më shumë situatën, kur ne kemi moshën mesatare mbi 50 të mjekëve të punësuar në Kosova”, tha Sejdiu.

Sipas Sejdiut, 90 për qind e atyre që largohen nga Kosova janë mjekë të përgjithshëm të sapo diplomuar./REL

(Kosova Sot Online)