Ky vend në alarm, shihet për herë të parë këtë vit grerëza “vrasëse” aziatike

  • E.K /
  • 14 August 2021 - 09:44
Ky vend në alarm, shihet për herë të parë këtë vit grerëza “vrasëse” aziatike

Shteti i Uashingtonit e ka konfirmuar rastin e dytë kur është parë një “grerëz vrasëse” këtë vit, por kësaj radhe e gjallë, raportuan zyrtarët.

Një deklaratë e lëshuar nga Departamenti i Bujqësisë  i Uashingtonit e vërtetoi raportin e parë për një grerëz gjigante aziatike në këtë shtet në vitin 2021, shkruan The Guardian.

Insekti i rrezikshëm, i identifikuar me emrin shkencor Vespa mandarinia, u raportua të jetë parë nga një banor i distriktit Whatcom, rreth dy milje larg vendit ku Departamenti i Bujqësisë e kishte shkatërruar çerdhen e parë të grerëzës gjigante që ishte gjetur në ShBA në tetorin e kaluar.

Dy muaj më parë, shkencëtarët gjetën një grerëz të ngordhur në veri të Seattle, duke e shënuar rastin e parë të një grerëze të gjetur në ShBA këtë vit.

Grerëza “vrasëse” e ka prejardhjen nga Azia. Ajo paraqet kërcënim për bletët që kultivohen për mjaltë. Nëse këto grerëza përhapen në mënyrë të pakontrollueshme, mund ta shkatërrojnë zgjoin e bletëve duke u ushqyer me larva dhe duke ua këputur kokën bletëve. Copat e trupit të bletëve grerëzat më pas ua japin të vegjëlve të tyre.

Ndonëse nuk njihen për agresivitetin e jashtëzakonshëm ndaj njerëzve, pickimi i tyre shkakton dhimbje të madhe. Pickimi nga grerëza aziatike mund të rezultojë në dështim të veshkave dhe vdekje.

(Kosova Sot Online)