Ndodh në ShBA: Policisë i humbin të dhënat, lirohet i akuzuari për vrasje

  • E.K /
  • 14 August 2021 - 12:19
 Ndodh në ShBA: Policisë i humbin të dhënat, lirohet i akuzuari për vrasje

Një burrë nga Teksasi, i cili këtë javë pritej që të dilte në gjyq për akuzën për vrasje, është liruar me kusht, pasi policia e Dallasit njoftoi se materiali për rastin e tij mund të jetë në mesin e të dhënave që kanë humbur nga sistemi kompjuterik.

Një gjykatës në Dallas e liroi me kusht të dyshuarin Joanathan Pitts, pasi prokurorët kërkuan që gjykimi të shtyhet përderisa po punojnë me policinë për të zbuluar nëse materiali i rastit është pjesë e informatave të humura nga sistemi kompjuterik.

Lirimi i të dyshuarit, i cili akuzohet për vrasjen e Shun Handy më 2019, u urdhërua në kohën kur autoritetet po përpiqen që të zbulojnë se materiali i sa rasteve është zhdukur nga sistemi i të dhënave, shkruan Independent.

I dyshuari u lirua pa u detyruar që të paguante për dorëzani, sepse ligji kërkon që personi të lirohet, nëse prokurorët nuk janë gati në kohën e gjykimit, tha avokati i tij, George Ashford.

Kryetari i Dallasit, Eric Johnson, tha se lirimi i këtij personi e vë në pah seriozistetin e humbjes së të dhënave. “Njerëzit e Dallasit meritojnë përgjigje për atë që ndodhi, pse stafi e mbajti këtë në heshtje për disa muaj dhe çfarë mund të bëhet për t’i zgjidhur këto probleme kritike që e prekin sigurinë publike”, tha Johnson në një deklaratë.

(Kosova Sot Online)