Ghani në bisedime urgjente me ndërkombëtarë e pleqnarë pas zgjerimit të talibanëve

  • G.G /
  • 14 August 2021 - 14:26
Ghani në bisedime urgjente me ndërkombëtarë e pleqnarë pas zgjerimit të talibanëve

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, zhvilloi bisedime urgjente me udhëheqësit lokalë dhe partnerët ndërkombëtarë të shtunën, pasi talibanët iu afruan kryeqytetit Kabul, duke marrë nën kontroll një qytezë jo shumë larg tij.

“Si president i juaji, fokusi im është në parandalimin e destabilizimit, dhunës dhe zhvendosjeve të mëtejme të popullit tim”, tha Ghani në një deklarim të transmetuar në televizion, duke shtuar se po këshillohet me qeverinë, pleqnarët, politikanët dhe udhëheqësit ndërkombëtarë.

Ai nuk dha ndonjë përgjigje rreth kërkesës së talibanëve për të dhënë dorëheqje si kusht për bisedime rreth armëpushimit apo marrëveshjes politike, duke thënë se prioritet i tij mbetet konsolidimi i sigurisë dhe i forcave të mbrojtjes, shkruan Reuters.

Të premten, talibanët morën nën kontroll qytetin e dytë më të madh, Kandaharin, ndërsa të shtunën qytezën Pul-e-Alam, vetëm 70 kilometra në jug të Kabulit. Grupi militant thotë se është afër që ta marrë nën kontroll edhe qytezën Maidan Shahr, e cila gjithashtu nuk është larg Kabulit.

Ndryshe, trupat amerikane kanë filluar të nisen drejt Kabulit për të ofruar ndihmë rreth evakuimit të stafit të ambasadës dhe civilëve, tha një zyrtar amerikan në kushte anonimiteti.

Ndërkohë ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, tha në një intervistë të publikuar të shtunën se edhe vendi i tij do ta evakuojë ambasadën në Kabul, nëse një gjë e tillë është e nevojshme.

(Kosova Sot Online)